Fjalimi i djeshëm i presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan mbi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi ishte në qendër të vëmendjes së medias ndërkombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).
Sky News, BBC News, Euronews, CNN, France 24, RT dhe Al Jazeera ishin në mesin e shumë mediumeve që transmetuan fjalimin e Erdoğan, i cili hodhi dritë mbi detajet e vrasjes së Khashoggit në ndërtesën e Konsullatës Saudite në Stamboll më 2 tetor.
Fjalimi u transmetua drejtpërdrejt në pothuajse të gjitha kanalet lokale në Turqi, duke përfshirë edhe TRT World, kanalin ndërkombëtar të lajmeve të Turqisë që transmetohet në gjuhën angleze.
Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve Reuters, Associated Press, Agence France Presse dhe AA e Turqisë raportuan fjalimin për abonentët e tyre me përditësime.
Duke folur në takimin e grupit parlamentar të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), Erdoğan shpalosi hollësitë lidhur me hetimin e Turqisë për vrasjen e Khashoggit.
“Vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi ishte e planifikuar,” tha Erdoğan.
Fjalimi u ndoq gjithashtu nga afër nga gazetat në mbarë botën.
Gazetat britanike, përfshirë The Guardian, Financial Times, The Telegraph, The Independent dhe The Daily News Online, po ashtu raportuan drejtpërdrejt deklaratat e presidentit turk.
Gazetat amerikane përfshirë The Washington Post, në të cilën Khashoggi ishte kolumnist, i informuan lexuesit e tyre rreth fjalimit me përditësime të drejtpërdrejta në platformat e mediave sociale.
New York Post, USA Today dhe Wall Street Journal gjithashtu ofruan një mbulim të gjerë të fjalimit. Newsweek, një revistë politike javore, përditësoi versionin e saj në internet me fjalimin e presidentit turk.
Edhe mediat gjermane mbuluan gjerësisht komentet e presidentit Erdoğan dhe raportuan se Turqia ka përfunduar se vdekja e gazetarit Khashoggi ishte një vrasje politike e planifikuar.
“Komentet e presidentit turk vënë në pikëpyetje versionin zyrtar të familjes mbretërore saudite mbi vdekjen e Jamal Khashoggit”, shkroi në faqen e saj të internetit e përjavshmja Die Zeit.
Khashoggi për herë të fundit u pa më 2 tetor kur hyri në Konsullatën Saudite në Stamboll. Pas më shumë se dy javëve mohime mbi fatin e tij, Arabia Saudite të shtunën pohoi se Khashoggi u vra gjatë një sherri brenda konsullatës.
Në një lajm me titullin “Ishte komplot vrasës i sauditëve”, Bild raportoi se Erdoğan dëshironte të zbulonte të vërtetën pas kësaj vrasjeje politike dhe propozoi që të dyshuarit për vrasjen e Khashoggit të gjykoheshin në Stamboll.
Deklaratat e Erdoğan u transmetuan drejtpërdrejt nga kanalet gjermane të lajmeve, përfshirë Phoenix dhe n-tv.