Me armë në lokal nate, arrestohet i riu në Dhermi

Të shtënat me a armë zjarri mbrëmjen e djeshme te disko 'Havana' kanë alarmuar Dhërmiun. Disa të rinj janë konfliktuar dhe kanë qëlluar me armë. Frikë dhe panik te klientët të cilët largohen të alarmuar. Poliia arreston autorin e ngjarjes.

Një person është arrestuar këtë të dielë, vetëm pak orë pasi qëlloi në ajër me armë zjarri, gjatë një konflikti në një lokal nate në plazhin e Dhërmiut.

 

Policia ka mundur të identifikojë autorin, Emiljano Nina, 23 vjeç nga Tirana, si dhe i ka sekuestruar armën e zjarrit tip pistoletë, me dy fishekë.

Nga veprimet e para hetimore mësohet se i dyshuari i arrestuar është konfliktuar për motive të dobëta dhe të hershme me një tjetër shtetas, e më situata është përshkallëzuar me 4 herë të shtëna në ajër me armë zjarri.

Nga të shtënat, sipas njoftimit të policisë nuk ka pasur persona të lënduar. Ai do të hetohet tashmë për veprat penale të “mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “prishjen e qetësisë publike”.

Përplasja me armë ka shkaktuar panik edhe te turistët të cilët kanë zgjedhur Dhërmiun për të pushuar, ndërsa ngjarje të tilla vënë në pikëpyetje sigurinë në zonat turistike, pavarësisht masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e sezonit.

Policia: Arrestuam autorin, s’ka persona të lënduar nga të shtënat
Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në disko ‘Havana’, duke arrestuar autorin që terrorizoi qytetarët dhe pushuesit me armë zjarri. Në pranga ka rënë 23-vjeçari Emiljano Nina, i cili ka qëlluar katër herë me pistoletë, pas një sherri me një person tjetër, për motive të hershme.

Arrestohet autori që qëlloi në ajër me armë zjarri gjatë një konflikti në një lokal. Sekuestrohet arma e zjarrit Pistoletë. Strukturat Policore të Komisariatit të Policisë Himarë në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për zbardhjen e ngjarjes së sotme të ndodhur në Dhërmi, kanë bërë të mundur dokumentimin e saj.

Nga veprimet e para të kryera ka rezultuar se në një lokal shtetasi Emiljano Nina është konfliktuar për motive të dobëta (të hershme) me një tjetër shtetas e për pasojë konflikti ka agravuar më tej, ku shtetasi Emiljano Nina ka shtënë 4 herë me armë zjarri në ajër. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.

Në përfundim të veprimeve hetimore është kryer arrestimi në flagrancë i autorit, shtetasit Emiljano Nina, 23 vjeç, banues në Tiranë.

Po në kuadër të veprimeve të kryera është bërë e mundur dhe gjetja e sekuestrimi armës së zjarrit pistoletë me dy fishekë. Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprën penale ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”, ”Prishja qetësisë publike”, parashikuar nga neni 278 dhe 274 të Kodit Penal.

Ngjarja në disko “Havana” në Dhërmi vjen pas plagosjes me armë zjarri në disko “Mango” në Sarandë në fillim të muajit qershor, ku u qëllua me armë zjarri truproja, Ardian Rako, 31-vjeç. Edhe aty protagonistë ishin disa të rinj të cilin u përfshinë në një sherr me njëri-tjetrin dhe për rrjedhojë pati të shtëna me armë zjarri.