Mbappe kualifikon Francën, Peruja bën gati valixhet

“Les Bleus” sigurojnë 1/8-at, Mbappe shkruan historinë e Francës

Franca është skuadra e tretë që kualifikohet në fazën e 1/16 të “Rusi 2018” që në raundin e dytë të ndeshjeve në grupe. “Gjelave” u mjaftoi fitorja minimale ndaj Perusë falë finalizimit të Kylian Mbappesë, për të siguruar kualifikimin, pavarësisht rezultateve që do të prodhojnë sfidat e fundit.

Nga ana tjetër Peruja i thotë matematikisht lamtumirë botërorit, pasi edhe nëse fiton me Australinë në ndeshjen e fundit mbetet pas Francës dhe Danimarkës, që aktualisht kanë grumbulluar 6 dhe 4 pikë. Shpreson ende te kualifikimi Australia, që sigurisht për ta arritur këtë objektiv duhet të fitojë me dy gola me Perunë (me shumë mundësi edhe me dy gola diferencë), ndërsa Franca duhet të mundë Danimarkën.

Kylian Mbappe me golin e tij është bërë adoleshenti i parë i historisë së Francës që shënon në një Kupë Bote ose Europian.Trajneri francez kishte bërë ndryshime në formacion për ndeshjen e dytë, duke futur në fushë Giroud që nga minuta e parë dhe duke sakrifikuar Dembele.

Skuadra funksionon mirë me Giroud, pasi ai krijon hapësira për lojtarët e shpejtë si Griezmann dhe Mbappe. Dhe ishte pikërisht adoleshenti i PSG ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 34’ por duhet thënë se merita më e madhe ishte e sulmuesit të Chelsea-t, Giroud.

Por në pjesën e dytë Franca mund të kishte mbyllur ndeshjen, diçka që nuk e bëri, duke lënë të hapur rezultatin deri në sekondën e fundit. Edhe Peruja u mundua të bënte diçka, dhe me pak fat mund të kishte barazuar. Por ndeshja mbyllet me fitoren e Francës që tani luan vetëm për të siguruar vendin e parë të grupit. Ndërkohë Peruja i thotë lamtumirë Kupës së Botës pas dy disfatave radhazi.

Deschamps largoi tre yjet e skuadrës, Mbappe, Griezman për Dembele e Fekir për t’i dhënë më shumë freski skuadrës, ndërsa Steven N’Zonzi, zëvendësoi në fund Pogba, pasi ylli i Manchester United ishte ndshkuar më parë me karton të verdhë dhe trajneri nuk donte të rrezikonte.

Tri pikë vendimtare për Francën, që kërcen kështu në krye të grupit C me 6 pikë, e ndjekur nga Danimarka me 4 pikë, Australia me 1 pikë dhe Peruja me 0.

Sa i përket ndeshjes së zhvilluar në stadiumin e Ekaterinburgut, pritej një fitore e lehtë e Francës me Perunë, por nuk ndodhi kështu. Peruanët bënë gjithçka për të shmangur disfatën, madje goditën edhe shtyllën me Jesus Aquino Sanchez në të 50-ën, por ishin të pafat në rastet që iu paraqitën.