Mbahet aktiviteti “Gjurmë të kulturës evropiane në Shqipëri”

Aktiviteti i organizuar nën kujdesin e Muzeu Historik Kombëtar të Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës kishte fokus të tij diskutimet për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe ndikimin e kulturës evropiane në Shqipëri

Tryeza e diskutimit me temë “Gjurmë të kulturës evropiane në Shqipëri” ka mbledhur së bashku në Tiranë përfaqësues të institucioneve kulturore dhe studiues, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktiviteti i organizuar nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës kishte fokus të tij diskutimet për trashëgiminë kulturore shqiptare dhe ndikimin e kulturës evropiane në Shqipëri.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, gjatë fjalës përshëndetëse tha se aktiviteti organizohet në kuadër të “Muajit të Evropës”, i dedikuar në Shqipëri me rastin e 9 Majit, që shënohet si Dita e Evropës.

“Muaji i Evropës është një iniciativë që përfshin veprimtari kulturore, sociale dhe politike të cilat përqendrohen kryesisht në historinë dhe vlerat kulturore të Bashkimit Evropian, marrëdhëniet e BE-së me Shqipërinë si dhe zhvillimet e fundit në Evropë dhe në Shqipëri”, u shpreh Koçi.

Koçi tha se gjatë muajit maj në Shqipëri në kuadër të Muajit të Evropës janë planifikuar disa aktivitete që kanë në fokus edhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, sidomos për ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe të institucioneve rreth procesit.

Pjesë e aktivitetit ishin edhe studiues të ndryshëm të fushës së kulturës dhe trashëgimisë kulturore të cilët në diskutimet e tyre trajtuan aspekte të ndryshme të përhapjes dhe ndikimit të kulturës evropianë në Shqipëri.