Zvarritja e çështjes së marrëveshjes së emrit në Maqedoni duket se mund të ketë pasoja që i kapërcejnë kufijtë e vendit,raporton Top Channel.
Kreu i partisë së djathtë të grekëve të pavarur, Panos Kammenos kërcënon tani me tërheqje nga koalicioni qeverisës nëse ujdia del përpara parlamentit. Kryeministri majtist, Alexis Tsipras dhe Kammenos i bashkuan forcat në 2015-tën me qëllim nxjerrjen e Greqisë asokohe nga kriza e thellë e borxhit.
Por marrëveshja që Tsiprasi arriti me Maqedoninë e ka lëkundur koalicionin dhe tani Kamenos, ministër i Mbrojtjes, deklaron se nuk do të votojë për të nëse shkon në parlament. Nëse shumica parlamentare vendos për divorc, divorci do të ndodhë, citohet të ketë thënë ai.
Nacionalistët grekë e kundërshtojnë kategorikisht paktin me pretendimin se emërtimi “Maqedoni” është historikisht grek dhe pjesë e trashëgimisë greke. Qëkur Maqedonia shpalli pavarësinë në 1991-shin, Athina nuk ka reshtur së insistuari se ky emër nënkupton se fqinji ka pretendime territoriale ndaj rajonit grek me të njëjtin emër dhe, ka bllokuar rrugën e Shkupit drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Në Shkup ndërkohë, debati në Parlament mbi ndryshimet kushtetuese vazhdon sot. Qeverisë së Zoran Zaevit i nevojiten 2/3 e votave të ligjvënësve që nisma të marrë dritën jeshile, por ekzekutivi këto vota nuk i ka. I gjendur përballë një presioni të jashtëzakonshëm, Zaev është shprehur i gatshëm për kompromise të dhimbshme, kryeministri deklaroi se mund të falë sulmin e 27 prillit ndaj ligjvënësve në sallën e parlamentit, edhe pse siç u shpreh ai, kjo gjë e ka një çmim.