Maqedonia dhe Shqipëria ndihma Greqisë për dëmet e shkaktuara nga zjarret

Maqedonia dhe Shqipëria i kanë ofruar ndihma Greqisë për të përballuar situatën pas zjarreve që shkaktuan dhjetra të vdekur

Maqedonia dhe Shqipëria i kanë ofruar ndihma Greqisë për të përballuar situatën pas zjarreve që shkaktuan dhjetra të vdekur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski njoftoi se Qeveria ka marrë vendim për të dërguar ndihmë financiare në vlerë prej 6 milionë denarë (rreth 100 mijë euro) denarë deri te Qeveria e Republikës së Greqisë për përballjen me zjarret katastrofale që këto ditë përfshinë rrethinën e kryeqytetit grek, Athinë.

Në mënyrë shtesë Qeveria ka marrë vendim që të formojë trup koordinues i cili në nivel ditor do ta ndjek gjendjen dhe do të koordinojë ndihmë humanitare, që do të dakordohet me institucionet kompetente në Greqi dhe me qytetin e Ahinës.

Nga Qeveria e Maqedonisë njoftojnë se është marrë vendim për ndihmë financiare me të njëjtën vlerë, 6 milionë denarë (100 mijë euro), t’i dërgohet Qeverisë së Japonisë për mbështetje në përballjen me pasojat e fatkeqësive natyrore.

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka miratuar vendimin për dhënien e ndihmës financiare për Qeverinë e Greqisë, në shumën 100 mijë euro, për lehtësimin e pasojave të dëmeve të shkaktuara nga zjarret masive.

Ndërkohë lidhur me vendimin ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një mesazh në rrjetet sociale shkruan se Shqipëria ndjehet veçanërisht pranë Greqisë fqinje në këto orë tragjike. “Qeveria Shqiptare aprovoi një donacion në shenjë solidariteti me vëllezërit e motrat tona”, shkruan Rama.

Kujtojmë se dhjetra persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve pyjore në afërsi të kryeqytetit të Greqisë, Athinë.