Maqedoni e Veriut, shënohet vdekja e parë nga Koronavirusi

57-vjeçarja rezultoi pozitive me Covid-19 pasi ndërroi jetë...

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka konfirmuar vdekjen e parë në vend nga koronavirusi ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, Filipçe njoftoi se një grua 57-vjeçare nga Kumanova ka vdekur nga koronavirusi, e cila u diagnostifikua pozitive mbrëmë vonë pas vdekjes.

“Lidhur me pranimit dhe trajtimin, kolegët vepruan në përputhje me protokollin e izolimit. Dy teste u kryen në kohë. Të dy testet treguan rezultate negative, por pavarësisht rezultateve negative, pasi sëmundja ishte tipike e koronavirusit, ajo u trajtua në izolim. Periudha e hospitalizimit zgjati javën e kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, ndërsa mostra u mor pas konstatimit të vdekjes mbrëmë dhe doli pozitiv”, tha Filipçe.

Filipçe po ashtu njoftoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 29 raste të reja të koronavirusit, me çka numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostifikuar me koronavirus në vend është 114.

Siç tha Filipçe, deri më tani raste të koronavirusit janë regjistruar në Shkup (65), Dibër (36), Shtip (7), Kavadarci (2), Ohër (2), Gostivar (1) dhe Kumanovë (1).

Në fjalën e tij, ministri i Shëndetësisë u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e qeverisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Kemi një rritje të numrit të rasteve dhe pritet që numri të rritet edhe më tej. Patjetër t’i respektojnë të gjitha këto masa për të shkatërruar kthesën e rritjes së pacientëve me koronavirus. Kjo ndodh në të gjithë botën. Vetëm atje ku respektohen masat kemi rezultatin e duhur. Unë jam i sigurt dhe besoj se këto masa që kemi marrë në seancën qeveritare do të japin rezultat”, tha Filipçe.

Që nga sot, me vendim të qeverisë do të zbatohet kufizimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve apo ora policore në të gjithë territorin e vendit nga ora 21:00 deri në ora 06:00.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, më 18 mars shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e vendit, në mënyrë që të lehtësojë luftën e qeverisë kundër përhapjes së koronavirusit.