Maqedoni e Veriut, propozohet hapja e kufijve me vendet fqinje pa test për COVID-19

"Sipas analizës, për momentin nuk ka asnjë indikacion, respektivisht nga këto vende nuk ka numër të lartë të rasteve të importuara me COVID-19 në vend. Prandaj, nuk ka rrezik dhe është e sigurt hapja e kufijve", tha Ministria e Shëndetësisë

Komisioni për sëmundje infektive i Maqedonisë së Veriut ka marrë një projektvendim për hapjen e kufijve me Serbinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Shqipërinë pa test për koronavirusin e ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sipas analizës, për momentin nuk ka asnjë indikacion, respektivisht nga këto vende nuk ka numër të lartë të rasteve të importuara me COVID-19 në vend. Prandaj, nuk ka rrezik dhe është e sigurt hapja e kufijve”, tha Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut.

Projektvendimi do t’i paraqitet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për t’u miratuar.

Pas mbylljes së kufijve shkaku i shpërthimit të pandemisë COVID-19, Maqedonia e Veriut më 17 qershor hapi vendkalimet kufitare në vend, por duke zbatuar masa për të parandaluar përhapjen e virusit, përfshirë një test negativ për COVID-19 jo më i vjetër se 72 orë dhe nënshkrimi i një deklarate të vetë-izolimit të obligueshëm për 14 ditë.

Më vonë, më 26 korrik, pa test të nevojshëm për COVID-19 dhe pa obligim për t’u karantinuar, Maqedonia e Veriut hapi kufirin me Shqipërinë, por jo edhe me Kosovën.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, deri më tani numri i personave të konfirmuara me koronavirus në vend është 18.790, prej të cilëve 15.341 pacientë janë shëruar dhe 756 kanë vdekur.