Maqedoni e Veriut, mbyllet votimi në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale

Në ora 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve të shtata lokale në Maqedoninë e Veriut, ku të drejtën e votës kishin mundësi ta shfrytëzojnë 1.353.990 qytetarë në gjithsej 2.481 vendvotime në mbarë territorin e vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut u realizua në 44 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, pasi në raundin e parë u zgjodhën kryetarët e 34 komunave të tjera.

Në konferencën për media pas përfundimit të procesit zgjedhor, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) njoftoi se deri në ora 18:30 jehona e daljes në votime ishte 48,88 për qind, respektivisht 633.146 qytetarë me të drejtë vote dolën në votim. Komuna me dalje më të lartë ishte Vevçani me 81,2 për qind, ndërsa komuna me dalje më të ulët ishte Saraj me 28,12 për qind ku këtë raund votuan vetëm për kryetar të Qytetit të Shkupit.

Sipas KSHZ-së, procesi i votimit në të gjitha vendvotimet ka vijuar i qetë me disa pengesa të vogla teknike dhe pa incidente serioze. Institucioni zgjedhor po ashtu njoftoi se disa vendvotime ku procesi i votimit ka filluar me vonesë, numri i të cilave është i paktë, do të qëndrojnë të hapura pas orës 19:00 për aq kohë sa është vonuar fillimi i procesit të votimit.

Fillimi i procesit të numërimit të votave pritet të fillojë që sonte, ndërkohë për rezultatet e para KSHZ do të prononcohet sonte më vonë ose gjatë ditës së nesërme.

Për herë të parë në këto zgjedhje lokale u përdoren terminalet për identifikimin biometrik të votuesve, ndërsa zbatohen edhe masat e përgjithshme për mbrojtjen nga koronavirusi i ri (COVID-19).

Dje të drejtën e votës e realizuan të sëmurët dhe të pafuqishmit, personat me COVID-19 dhe personat që ndodhen në izolim.

Në Dibër u përsërit votimi për kryetar komune dhe këshill në një vendvotim, ndërsa në vendvotimet në Shuto Orizari pati rivotim për anëtarët e këshillit, pasi Gjykata Administrative anuloi votimin në këto dy vendvotime për votimin në raundin e parë të zgjedhjeve të 17 tetorit.

Ndërkohë, nuk u votua për kryetar komune në Mavrovë-Rostushë dhe në Qendër Zhupë për shkak se nuk është plotësuar pragu ligjor për votim në rrethin e parë të zgjedhjeve për të dalë të paktën një e treta e votuesve të regjistruar.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) do ta informojë Qeverinë për këto dy komuna, e më pas në Mavrovë-Rostushë dhe Qendër Zhupë do të organizohet përsëritja e votimit për kryetar komune në pajtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Anëtarët e këshillit u zgjodhën sepse për to nuk ekziston prag ligjor.

Këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Maqedoninë e Veriut në të cilat do të zgjidhen udhëheqësit e rinj lokalë për katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2017.