Maqedoni e Veriut, anulohet manifestimi tradicional i Vitit të Ri Islam për shkak të COVID-19

"Për shkak të situatës së krijuar me COVID-19, Rijaseti i BFI-së ka vendosur që ta anulojë këtë manifestim, duke pasur në mendje dhe prioritet shëndetin e besimtarëve tanë", tha BFI në një njoftim

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), Bashkësia Fetare Islame (BFI) në Maqedoninë e Veriut ka njoftuar anulimin e manifestimit tradicional për shënimin e Vitit të Ri Islam, ndërrimit të vitit kalendarik Islam “Hixhri 1442”, që lidhet me shpërnguljen e profetit Muhammed (a.s) nga qyteti i Mekës drejt Medinës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ashtu si çdo vit, edhe për sivjet në plan-programin e BFI-së ishte planifikuar mbajtja e Akademisë Solemne për hir të këtij evenimenti, por për shkak të situatës së krijuar me COVID-19, Rijaseti i BFI-së ka vendosur që ta anulojë këtë manifestim, duke pasur në mendje dhe prioritet shëndetin e besimtarëve tanë”, tha BFI në një njoftim.

BFI uron besimtarët muslimanë me rastin e Hixhrit, që këtë vit shënohet nesër, më 20 gusht, duke lutur Allahun që ky vit të sjellë shëndet, begati dhe prosperitet në mesin e besimtarëve dhe njerëzisë në përgjithësi.

Viteve të kaluara, BFI ka organizuar program për të shënuar Hixhrin, ku përfaqësues nga jeta fetare në vend dhe rajon si dhe personalitetet nga jeta politike dhe shoqërore kishin rastin të dëgjojnë recitim nga Kur’ani dhe këndim të ilahive. Në fund të programit nga BFI ndaheshin mirënjohje dhe çmime personaliteteve të çmuara në fusha të ndryshme.

Fjala arabe “Hixhret” nënkupton shpërnguljen e Profetit Muhammed (a.s) dhe pasueseve të tij nga Meka në Medinë, në vitin 622 të kalendarit gregorian.

Shpërngulja e Profetit Muhammed (a.s) dhe muslimanëve të parë nga Meka në Medinë, Hixhreti, është pikënisja e llogaritjes së kalendarit musliman ndërsa kjo ngjarje historike nënkupton fillimin e epokës së tyre.

Viti sipas Hixhrit zgjat rreth 354 ditë, përbëhet prej 12 muajsh dhe për 11 ditë është më i shkurtër se kalendari diellor.