Maqedoni, ceremoni qendrore me rastin e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke

Me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni, në Shkup u mbajt ceremonia qendrore, në të cilën i pranishëm ishte edhe zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın

Me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni, në Shkup u mbajt ceremonia qendrore nën organizimin e Lidhjes së Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSITEB) dhe në mbështetje të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoni morën pjesë zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Maqedonisë, Oliver Spasovski, ministri i Kulturës i Maqedonisë, Asaf Ademi, ministri pa resor i Maqedonisë përgjegjës për Investimet e Huaja, Adnan Qahil, zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Haluk Dursun, ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, kryetari i TIKA-s, Serdar Çam, përfaqësues të lartë të institucioneve dhe organizatave të Turqisë dhe Maqedonisë dhe mysafirë të shumtë.

Në fjalën e tij, İbrahim Kalın përcëolli përshëndetjet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

“Në këtë ditë të mirë feste, është detyrë dhe nder për të gjithë ne ta kujtojmë gjuhën tonë të bukur turke. Sepse, gjuha do të thotë mendim dhe kujtesë, gjuha do të thotë shprehje, të kuptojmë atë që kemi përballë, ta shpjegojmë brengën dhe qëllimin”, tha Kalın.

Kalın tha se duke ruajtur gjuhën, ruhet edhe historia dhe parardhësit.

“Në një ditë kur bota kërkon drejtim, tradita jonë e mendimit qindra vite më parë na thotë se ‘e duam krijesën për shkak të Krijuesit’. Ata shfaqën një filozofi të dashurisë ndaj njeriut si njeri, pa marrë parasyshë gjuhën, fenë, racën, ngjyrën dhe veshjen”, deklaroi Kalın.

“Falë Zotit, ju këtu mbani gjallë një shembull madhështor të pluralizmit, maqedonas, shqiptarë, turq, muslimanë të krishterë. Ne jemi krenar për këtë. Në një kohë kur veçanërisht në Evropën Perëndimore debatohet mbi pluralizmin dhe thuhet se multikulturalizmi ka vdekur, ju jeni një shoqëri që i tregoni në mënyrën më të bukur jo vëtëm Evropës Perëndimore, por tërë botës, se çfarë është morali i të jetuarit së bashku”, shtoi zëdhënësi presidencial i Turqisë.

Kalın foli edhe rreth organizatës terroriste FETO dhe tentativës për grusht shteti në Turqi më 15 korrik të vitit 2016, duke thënë se lufta kundër kësaj organizate nuk është vetëm çështje e Turqisë, por një luftë që duhet zhvilluar nga çdo vend mik dhe aleat në të mirë të interesave të veta kombëtare.

“Pritja jonë nga vëllezërit tanë në Maqedoni është të marrin masat e duhura kundër kësaj organizate terroriste, kundër çdo lëvizje dhe strukture të këtillë. Kjo nuk është kërkesë e Turqisë, por edhe e vëllezërve tanë turq në Maqedoni. Këtu gjendet edhe ministri dhe nuk kam as edhe dyshimin më të vogël se ka dëgjuar këtë mesazh në mënyrën më të qartë”, tha Kalın.

Ndërkohë, ministri maqedonas Spasovski tha se festa e Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni është dëshmi e respektit reciprok në Maqedoni. Ai shprehu urime në emër të Qeverisë së Maqedonisë dhe kryeministrit Zoran Zaev me rastin e kësaj dite.

“Që nga pavarësia e Maqedonisë, Turqia dhe komuniteti turk në Maqedoni treguan dhe dëshmuan se janë mbështetës lojalë, të vazhdueshëm dhe të hapur të përpjekjeve të Maqedonisë për të qenë një shtet stabil dhe i prosepruar”, tha Spasovski.

Duke theksuar se maqedonasit dhe turqit ndajnë përvojë të të jetuarit së bashku duke ndërtuar vlera të përbashkëta dhe të përhershme, Spasovski nënvizoi se Maqedonia dhe Turqia kanë marrëdhënie dypalëshe të nivelit më të lartë.

Nga ana tjetër, ambasadorja turke në Shkup, Tülin Erkal Kara, tha se uron që komuniteti turk në Maqedoni të kontribuojë në mirëqenien dhe përparimin e këtij vendi dhe tha se do të japin çdo mbështetje që Maqedonisë i nevojiten në këtë drejtim.

Kara e cilësoi komunitetin turk si një nga elementet më të rëndësishme të rajonit të Ballkanit, duke shtuar se është ndjenjë e papërshkrueshme krenaria dhe lumturia e të dëgjuarit gjuhën turke në Maqedoni.

“Lidhja më e vlefshme e marrëdhënieve tona që çdo ditë thellohen midis Turqisë dhe Maqedonisë dhe miqësisë sonë të lashtë që forcohet përmes vëllazërisë midis popuvje tanë, është komuniteti turk me lojalitetin evident ndaj Maqedonisë”, theksoi Kara.

“Dëshiroj të them se do të vazhdojmë të mbështesim shtetin mik dhe vëlla të Maqedonisë në këtë pikë kritike, si në platformat bilaterale ashtu edhe në ato ndërkombëtare, dhe presim ndjeshmëri më të madhe në këtë drejtim në luftën tonë kundër FETO-s”, deklaroi Kara.

Po ashtu, kryetari i MATUSITEB-it, Hüsrev Emin, tha se si turq të Maqedonisë përjetojnë emocionin e gjuhës turke dhe ruajtjen e identietit të tyre në mënyrë të lirë.

Ai tha se ndihen thellësisht të shqetësuar për arsyen që, siç theksoi ai, organizata terroriste FETO është ende aktive në Maqedoni.

“Qëndrimi ynë si turq të Maqedonisë nga 15 korriku është i qartë”, u shpreh Emin.

Në këtë aspekt, Emin tha se dëshirojnë që Qeveria e Maqedonisë të ndërmarrë hapa konkretë.

“Dua të potencoj se ne, domethënë turqit e Maqedonisë, do ta vazhdojmë luftën kundër FETO-s dhe asnjëherë nuk do të heqim dorë nga kjo”, shtoi ai.

Pas fjalimeve, ceremonia vazhdoi me një koncert të këngëtares nga Turqia Gülşen.