Në Gjykatën Penale në Shkup u shqiptuan aktvendimet ndaj shtatë personave të akuzuar për tentim për vrasjen e deputetit Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët në Kuvendin e Maqedonisë më 27 prill të vitit të kaluar, ku sulmuesit sipas aktvendimeve kanë marrë gjithsej 81 vite burg, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjykatësja shqiptoi aktvendimet për shtatë të akuzuarit. Kire Gjorgjievski u dënua me 13 vite burg, Andrej Micov10 vite e gjashtë muaj, Oliver Oshavkovski 10 vite e gjashtë muaj burg, Nikollçe Dimitrievski 10 vite e gjashtë muaj, Aleksandar Janevski – Toshta 13 vite, Nikolla Vojminovski 13 vite e gjashtë muaj dhe Kosta Delev 10 vite e gjashtë muaj burg.
Gjykatësja duke e përkshruar se kush dhe si është nxjerrë deputeti Sela nga pres-qendra në Kuvend dhe si e kanë goditur në kokë dhe trup, tha se të akuzuarit me paramendim kanë tentuar ta privojnë nga jeta deputetin Sela.
Në shqiptimin e aktvendimit në gjykatë nuk ishte i pranishëm deputeti Sela.
Kundër aktvendimit të shqiptuar palët kanë të drejtë ankese deri te Gjykata e Apelit. Në njërën nga gjykimet e kaluara për këtë rast Stojan Pavlevskit iu shqiptua dënim me burg prej 3 vitesh, ndërsa Cejo Georgievskit 1 vit e dy muaj.
Rikujtojmë se fillimisht për rastin e tentim vrasjes së deputetit Sela në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, u akuzuan nëntë persona, por Prokuroria para se të fillojë me fjalët përfundimtare tërhoqi aktakuzën kundër Sasho Senkov, për të cilin prokurori theksoi se nuk ka dëshmi të mjaftueshme se e ka kryer veprën.
Më 27 prill të vitit të kaluar, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit, në një stituatë kaotike, demonstrantët të cilët ishin mbledhur para godinës së Parlamentit, hynë me forcë në Kuvend.
Si rezultat i dhunës nga ana e demonstruesve ndaj deputetëve u lënduan rreth 100 persona, përfshirë deputetë, policë dhe përfaqësues të mediave.