Manastirliu: Sistemi shëndetësorë do fillojë të hapet në mënyrë graduale

Spitali Universitar i Traumës ka pritur rreth 4000 urgjenca...

Spitali Universitar i Traumës ka pritur rreth 4000 urgjenca.

Në ditë bëhen rreth 20 ndërhyrje të urgjencës kirurgjikale dhe ato të sëmundjeve. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e cila ishte në një inspektim në Spitalin Universitar i Traumës ku janë transferuar të gjitha urgjencat e kirurgjisë por edhe ato të patologjive malinje.

“Shqëtësimi më i madh ka qenë garantimi i shërbimeve të urgjencës për qytetarët në këtë periudhë. Arritëm që të vendosnim përqëndrimin në urgjencën e Spitalit të Traumës të të gjithë kirurgjive, edhe ato të sëmundjeve malinje. Janë rreth 4000 urgjenca të pritura dhe rreth 16-20 ndërhyrje të urgjencës kirurgjikale. Bëmë një organizim të sistemit shëndetësor që të mos mungonte aspak shërbimi cilësor për qytetarët”, tha Manastirliu, raporton Top Channel.

Gjatë inspektimit të masave të marra tek Spitali Universitar i Traumës, Manastirliu tha se do të bëhet hapje graduale e sistemit shëndetësor dhe se, kjo do të varet nga ecuria e situatës së shkaktuar nga COVID19.

“Jemi duke vlerësuar me shumë kujdes të gjitha fazat e hapjes së sistemtit shëndetësor që nuk do jenë dhe aq të shpejta. Pasi duhet që të garantojmë mbrojtjen e pacienteve, mbrojtjen tuaj. Puna nuk ka ndalur në spitale, por për urgjencat kirugjikale dhe ato malinje do të vazhdojë puna me intensitet nga stafet mjekësore kudo në vend”, tha Manastirliu.

Duke i falenderuar për punën e palodhur Manastirliu tha se janë gati ekipet shëndetësore që mund t’i zëvendësojne apo mbështesin nëse do të jetë e nevojshme, dhe se këtë luftë do ta fitojnë me kontributin e të gjithëve.

Në Spitalin Universitar të Traumës janë kryer rreth 4 mijë vizita urgjente dhe rreth 500 ndërhyrje kirurgjikale urgjente përfshirë dhe ato të sëmundjeve malinje. Ndërsa traumat kanë qënë më të reduktuara për shkak të izolimit të qytetarëve dhe mungesën e lëvizjes në këtë periudhë.