Manastirliu nxjerr shifrat: Situata epidemike kritike…

"67% e rasteve me Covid 19 nga kontaktet familjare..."

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu përmes një konference për shtyp deklaroi se situata epidemike është kritike dhe delikate.

Ajo tha se ka nisur tashmë zbatimi i strategjisë vjeshtë-dimër, ndërsa publikoi edhe shifrat e rritjes së virusit, që krahasuar me një muaj më parë rastet pozitive janë dyfishuar.

Manastirliu tha po ashtu se në Shqipëri rastet e infektimeve me Covid janë më së shumti familjare.

“Situata epidemike është kritike, delikate. I gjithë fokusi ynë në kuadër të zbatimit me përpikëmëri të strategjisë së vjeshtë-dimrit, qëllim kryesor mbetet kufizimi i përhapjes së infeksionit.

Situata në ditët e fundit është e kontrolluar, rritja e qëndrueshme e rasteve karakterizon javën që po mbyllim por krahasuar me muaj më parë kemi 2 fishim të rasteve pozitive ditore.

Vihet re një rritje e numrit të vatrave të infektimit ku janë 265 vatra aktive në Shqipëri, ku 76 rezultojnë të jenë vatra familjare. Është një analizë e bërë nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik ”,- tha ajo.

“Ka rëndësi që në momentin që je i dyshuar, ke qënë pjesë e kontaktit të një pozitivi duhet menjëherë izolimi. Lufta bëhet në disa fronte, por i pari është fronti individual”, shtoi ministrja.