Joseph Muscat, kryeministri i Maltës, thotë se vendi i tij punon për zgjidhjen e çështjes së anijes gjermane shpëtimtare, e cila është bllokuar në ujërat e Mesdheut dhe në të cilën ndodhen 234 emigrantë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim të publikuar të martën Muscat tha se qëllimi i Maltës është “të parandalojë përshkallëzimin e krizës humanitare”, duke e ndarë përgjegjësinë me homologët e vendeve të tjera anëtare të BE-së. Në njoftim nuk theksohet nëse Malta do të lejojë ankorimin në portet e vendit.
Por, në njoftim nënvizohet se Malta planifikon të fillojë hetime kundër kapitenit të anijes Lifeline, i cili i përket organizatës joqeveritare gjermane, për injorim të instruksioneve.
Anija për disa ditë është e bllokuar në ujërat e Mesdheut, pasi që ministri populist italian i Punëve të Brendshme refuzoi ankorimin e anijes në portet italiane, me çka u përsërit rasti i anijes Aquarius që iu ndalua hyrja në Itali dhe Maltë dhe u detyrua të zbarkojë 1.500 kilometra në Spanjën e largët.