Mali i Zi shpall sërish gjendjen e pandemisë

Që prej qershorit, Mali i Zi, shënoi një rritje të rasteve me Covid-19 dhe aktualisht numëron mbi 1900 të prekur dhe 26 viktima.

Mali i Zi shpall sërish gjendjen e pandemisë për shkak të rritjes së nivelit të përhapjes së Covid-19. Në një përpjekje të qartë për të frenuar shpërthimin e ri të virusit, autoritetet kanë rikthyer disa nga kufizimet e kaluara.

Me anë të një njoftimi në Twitter, qeveria e Malit të Zi bëri me dije se duke nisur nga e mërkura, mbajtja e maskës mbrojtëse është e detyrueshme në vende të hapur dhe ambiente publike të mbyllura. Deri në një njoftim të dytë është e ndaluar organizimi i dasmave, ditëlindjeve dhe festave të tjera. Janë mbyllur lokalet e natës, ndërsa baret do të operojnë me vetëm 2 klientë për tavolinë, gjithmonë duke respektuar distancimin fizik. Në disa qytete është rikthyer dhe masa e kufizimit të lëvizjes së banorëve, transmeton A2News.

Që prej qershorit, Mali i Zi, shënoi një rritje të rasteve me Covid-19 dhe aktualisht numëron mbi 1900 të prekur dhe 26 viktima. E rëndë paraqitet situata edhe në shtete të tjera të rajonit. Në Kosovë humbi jetën 1 pacientë duke e çuar bilancin e viktimave në 145, ndërsa të prekurit në total janë mbi 6 mijë. Situatë në përmirësim paraqet Maqedonia e Veriut duke mos raportuar viktima në 24 orët e fundit, por vetëm 163 raste të reja.