Mali i Zi, protestat me “Jelekë të verdhë” në Podgoricë kaluan pa incidente

Qindra persona që mbanin “Jelekë të verdhë” morën pjesë në demonstratën e mbajtur nga një grup pro-opozitar, të cilët po protestonin kundër arrestimit të deputetit Nebojsha Medojeviq.

Dje në kryeqytetin Podgoricë të Malit të Zi u organizua një protestë me “Jelekë të verdhë” kundër qeverisë me sloganin “Nuk frikësohemi nga errësira diktatoriale”.

Qindra persona që mbanin “Jelekë të verdhë” morën pjesë në demonstratën e organizuar nga një grup pro-opozitar, të cilët po protestonin kundër arrestimit të deputetit Nebojsha Medojeviq.

Protestuesit u mblodhën përpara Parlamentit malazez dhe marshuan drejt zyrës së Presidentit dhe ndërtesës së qeverisë.

Krahas deputetëve të “Frontit Demokratik” (DF) protestave iu bashkuan edhe shumë liderë të opozitës.

Andrija Mandiq, një nga drejtuesit e “Frontit Demokratik” (DF) gjatë fjalimit të tij para protestuesve tha se Medojeviqit, i cili u dënua me dy muaj burgim, i rrezikohet jeta.

“Në qoftë se krahasojmë numrin e pjesëmarrësve në protestat e Podgoricës me atë në Paris do të arrijmë në përfundim se edhe ne kemi forcë për të ndryshuar Malin e Zi. Për këtë duhet të jemi të guximshëm dhe të vendosur. U bëj thirrje njerëzve, të cilët mungonin në protestat e së dielës, që të marrin pjesë në protestat e ardhshme që do të mbahen të mërkurën”, deklaroi Mandiq.

Protesta e mbajtur nën masa të gjera të sigurisë përfundoi pas fjalimeve pa incidente./TRT