Mali i Zi ndërmerr hapa për mënjanimin e fluksit të refugjatëve

Mali i Zi parasheh ndërtimin e një kampi për pranimin e refugjatëve ilegal, të cilët nëpërmjet Shqipërisë synojnë kalimin më tej në vendet e Bashkimit Evropian.

Ministri i brendshëm i Malit të Zi, Mevludin Nuhoxhiq mori pjesë në takimin e Brukselit, ku kriza e emigrantëve mblodhi ministrat e brendshëm të Ballkanit

perëndimor. Në këtë takim u diskutuan çështjen që lidhen me sigurinë, menaxhimin e kufirit dhe migracionit. Temë bosht e takimit ishte rritja e bashkëpunimit rajonal me mbështetjen e Bashkimit Evropian lidhur me menaxhimin më efektiv të kufijve dhe luftën kundër kontrabandimit të personave për të frenuar flukset e emigrantëve të parregullt. Këtij takimi në Mal të Zi i kushtohet vëmendje pasi kohëve të fundit vërehet një rritje e numrit të refugjatëve që nga kjo republikë kalojnë në Kroaci e më tej në vendet e Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq duke folur për këtë çështje ka thënë se situata aktuale është e atillë që Mali i Zi planifikon që në afërsi të kufirit me Shqipërinë të hapë një qendër pranimi për refugjatët respektivisht përshtatjen e një objekti ushtarak.

Për këtë kërkohet ndihma nga fondet e Bashkimit Evropian. Ne, ka nënvizuar Markoviq do të ndërmarrim të gjitha masat e duhura me qëllim që të mos përjetohet fluksi i madh i vitit 2015 që nuk e përfshiu Malin e Zi, por tani drejtimi i refugjatëve ka ndryshuar dhe shkon nëpërmjet Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinës drejt Evropës. Ne po punojmë në të gjitha drejtimet që tu përgjigjemi sfidave dhe të zvogëlojmë presionin në kufijtë e Bashkimit Evropian.

Pikërisht kjo ishte edhe kërkesë e BE-së në takimin e Brukselit, ku nga vendet perëndimore u kërkua që të forcojnë pikat kufitare për të bllokuar trafikun e emigrantëve nga Lindja dhe Afrika Veriore.

Bashkimi Evropian pritet që të mbështes vendet e Ballkanit me një fond të veçantë dhe policë për të bllokuar emigrantët.

Po ashtu thuhet se Bashkimi Evropian po kërkon një vend në Ballkanin Perëndimor për të ndërtuar një kamp për emigrantët, në mënyrë që ata mos të futen në vendet e Unionit.