Mali i Zi miraton ligjin për përdorimin e simboleve kombëtare në publik

Mali i Zi miraton ligjin për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare, për shqiptarët që jetojnë atje.

Lajmin e bën të ditur ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili thotë se përmes këtij ligji i garantohet pakicave kombëtare e drejta dhe liria e zgjedhjes, përdorimit dhe vendosjes publike të simboleve kombëtare, si dhe shënimi i festave kombëtare.

Ish-ministri përgëzon partitë politike shqiptare në Malin e Zi, për miratimin e këtij ligji, i cili i jep fund praktikës së kushtëzuar të shfaqjes dhe përdorimit të flamurit dhe simboleve kombëtare.

“Ligji garanton gjithashtu shënimin e festës kombëtare në ato komuna ku shqiptarët përbëjnë 5% te popullsisë. Përgëzime partive politike shqiptare në Malin e Zi, të cilët për një kohë të gjatë kanë insistuar në miratimin e këtij ligji. Një sukses i përbashkët që vjen nga qartësia në avancimin e kërkesave të drejta dhe ndërtimi i koalicioneve largpamëse në Malin e Zi. Uroj që ky shembull të shërbejë si precedent për t’i mundësuar shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc përdorimin e simboleve kombëtare dhe arsimimin në gjuhën amtare”, deklaron Bushati./ CNA.al