Lulzim Basha në rrezik, flet ministri Lleshaj

I ndodhur në Vlorë, Lleshaj thotë se nuk ka asnjë informacion që kryedemokrati të jetë kërcënuar apo se i rrezikohet siguria.

Një ditë pas përhapjes së informacioneve se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kishte thirrur një prej gardistëve që shoqëron kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe e kishte njoftuar për rreziqe të mundshme që i kanosen atij, vjen edhe reagimi i ministrit.

Ministri pranon ndër të tjera të jetë takuar me truprojat e Gardës dhe thotë se kjo është pjesë e punës së tij të përditshme, por pa pohuar të ketë diskutuar me ndonjërin prej tyre për sigurinë e Bashës.

Lleshaj tha ndër të tjera, se i ka mbërritur një letër nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, por se nuk e kishte lexuar ende.

Një ditë më parë, kryedemokrati Lulzim Basha akuzonte ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj për shantazh për qëllime politike. Në shkresën drejtuar ministrit të Brendshëm e që mban firmën e sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazmend Bardhi, demokratët i referohen një takimit të ministrit Lleshaj me një prej punonjësve të gardës së Republikës, truprojë e Lulzim Bashës, mbi rrezikun që i kanoset sipas ministrisë së Brendshme, kreut të opozitës. Në letër Gazment Bardhi shkruan se z.Lleshaj ka shkelur cdo procedurë dhe cdo mënyrë institucionale të trajtimit të kësaj çështjeje, raporton ballakanweb.

“Në bazë të ligjit, ju duhet ta përcillni informacionin që keni tek drejtuesit e Gardës së republikës, që janë autoriteti përgjegjës për të vlerësuar masat e nevojshme të sigurisë ndaj një përsonaliteti shtetëror që gëzon mbrojtje të posaçme, si dhe tek institucionet ligjzbatuese që kanë përgjegjësinë ligjore për të gjurmuar, vlerësuar dhe neutralizuar çdo rrezik të tillë.”-thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm.