Luigi Soreca: Vetingu po jep rezultatet e duhura, opozita të marrë pjesë në zgjedhje

 Gjatë intervistës në “Real Story” ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca u pyet edhe mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi, për të cilën ai nënvizoi se procesi i Vetingut ka dhënë 140 vendime profesionale duke larguar nga detyra gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.

Gjatë intervistës në “Real Story” ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca u pyet edhe mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi, për të cilën ai nënvizoi se procesi i Vetingut ka dhënë 140 vendime profesionale duke larguar nga detyra gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.

Sipas Sorecas, Reforma në Drejtësi do të dojë kohën e sajë për të realizuar pastrimin e drejtësisë, dhe më pas sipas tij do mund të diskutohet rreth arritjeve të saj.

“Procesi i Vetingut ka dhënë më shumë se 140 vendime profesionale. Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, në rast se komisioni ka vendosur që të gjithë gjyqtarët ishin të korruptuar, kjo e justifikon edhe ekzistencën e Reformës në Drejtësi në vetvete, pikërisht kjo ishte arsyeja. Ne jemi në mes të një procesi të kalimit të lumit dhe tani mu në mes të lumit nuk mund të ndalojmë. Duhet të lejohet Reforma në Drejtësi që të arrijmë në bregun tjetër, në mënyrë që ne pastaj të mund të diskutojmë një vlerësim të Reformës në Drejtësi. Muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm në mënyrë që të ngrihen këshillat e fundit, institucionet e fundit dhe po ashtu të mbushen vakancat në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Pasi të bëhen këto, ne do të shikojmë që gjërat do të ecin. Dje ka dalë një raport i KLGJ-së për vonesën që ka sjellë Vetingu në gjykata, që është në nivelin 10%, që do të thotë që ndikimi që ka pasur procesi i Vetingut në aftësinë e gjykatave ka qenë vetëm 10%. Mendoj që kjo është një kosto e pranueshme që qytetarët shqiptarë të marrin atë që dëshironin, sistem tërësisht tjetër të drejtësisë”, – theksoi ai.

Duke u ndalur te zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Soreca bëri me dije se ato duhet të realizohen dhe të kryhen në mënyrë të paanshme dhe pa probleme.

“Siç e thashë, ky është momenti që palët të vendosin, që të aplikohet sundimi i ligjit. Çfarë do të thotë kjo për ne, që zgjedhjet, të organizohen, të kryhen në mënyrë të pashme dhe pa probleme. Ne na vjen keq për retorikën e fjalëve që kemi dëgjuar, po ashtu edhe për përdorimin e dhunës. Prej meje nuk keni për të marrë recetën për zgjidhjen, pasi dy palët duhet të kuptojnë se ato kanë në dorë të ardhmen e këtij vendi në një moment mjaft me delikat të historisë së Shqipërisë. Ata kanë si fuqinë, ashtu dhe përgjegjësinë të kryejnë veprimet e duhura që qytetarët shqiptarë të marrin atë që meritojnë, të ardhmen e integrimit evropian. Ky është qëndrimi ynë dhe ne ende shpresojmë që përpara fillimit të fushatës, përpara protestës të re, të dyja palët të mund të arrijnë një kompromis që të lejojë vendin të ecë përpara në fushatë zgjedhore në mënyrë të pashme dhe pa probleme”, – vijoi ai.

Soreca shprehu keqardhjen e tij nëse opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit.

“Unë mendoj se teknikisht ky është një dimension, por natyrisht është për të ardhur keq nëse opozita nuk do të marrë pjesë, në rast se ata konfirmojnë atë qëllim për mospjesëmarrje. Zgjedhësit duhet të kenë mundësi që të zgjedhin, unë e kuptoj se në shumë bashki nuk do të ndodhë kështu. Nuk është zgjidhja ideale, por kjo është zgjidhja që është zgjedhur nga vetë partitë”, – përfundoi ai.