Luigi Soreca: Të gjithë e kanë lavdëruar Shqipërinë për Reformën në Drejtësi

Në mbylljen e 5 ditëve të trajnimit për studentët e Shkollës Verore, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka përshëndetur ecurinë e reformave në vend, sidomos për Reformën në Drejtësi.

Në mbylljen e 5 ditëve të trajnimit për studentët e Shkollës Verore, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka përshëndetur ecurinë e reformave në vend, sidomos për Reformën në Drejtësi.

Ambasadori Soreca u ndal edhe te situata politike, duke u shprehur se  “në një vit kaq kritik për të ardhmen e Shqipërisë, të gjithë ne duhet të investojmë për ndërtimin e konsensusit politik dhe të punojmë me angazhim drejt integrimit në BE. Ky synim kombëtar është mbi interesat partiake, është në të mirë të qytetarëve shqiptarë”.

Ai shtoi se “në Parlamentin Europian ekziston një marrëveshje e fortë dhe e qëndrueshme ndërpartiake mbi Shqipërinë. Ky duhet të jetë një model për bashkëpunimin dypalësh për integrimin evropian edhe në Tiranë. Gjithkush në rajon dhe në BE, por unë do të guxoja të thosha në mbarë botën, e ka lavdëruar Shqipërinë për kryerjen e reformës së saj gjyqësorë. Reforma është në vazhdim. Kohezioni i të gjitha palëve është tani vendimtar për të konsoliduar zbatimin e saj”.

Sipas ambasadorit Soreca, Reforma në Sistemin Zgjedhorë ishte një nga pikët në të cilat priten edhe rezultate.

“Reforma zgjedhore është një tjetër fushë ku Këshilli ka theksuar nevojën për rezultate. Ne presim që të gjitha palët të angazhohen në mënyrë gjithëpërfshirëse për të adresuar rekomandimet e pazgjidhura të OSBE / ODIHR-it. Tashmë është bërë një punë e shkëlqyer dhe konstruktive në Komisionin Parlamentar Ad-Hoc. Ne presim që këto përpjekje të finalizohen sa më parë me amendamente të ligjit zgjedhor”, u shpreh ambasadori.

Gjatë këtij takimi, ambasadori Soreca theksoi se, pasi të nisë anëtarësimi për në BE, vendi do të ketë nevojë për angazhimin e njerëzve të rinj, duke inkurajuar qeverinë që t’i shikojnë pjesëmarrësit në këtë Shkollë, si një burimin kyç, për punën shumë të vështirë që do të fillojë./ATSH