Luftëtari dhe Partizani e kanë mbyllur në barazimin 1-1 ndeshjen e zhvilluar në Gjirokastër. Sfida ishte mjaft e luftuar me të dy skuadrat që kërkuan të merrnin maksimumin, por golat e Malës dhe Ymerajt bënë që të dy ekipet të ndajnë nga 1 pikë.
45 minutat e para të luajtura në stadiumin e Gjirokastrës ishin të një niveli mesatar. Ekipi i Luftëtarit ishte më kërkues dhe kishte epërsi në fushën e lojës. Bluzinjtë sulmuan më shumë se të kuqtë me Shkurtajn dhe Rrocën që ishin një rrezik konstant.
Nga krahu tjetër, trajneri Skënder Gega vendosi një ekip të mirëpozicionuar në fushën e lojës. Të kuqtë qëndruan në ekuilibër dhe rritën presionin me kalimin e minutave. Momenti vendimtar i takimit erdhi në minutën e 36′. Bardhi bën gjithçka mirë dhe vertikalizon mjaft bukur për Malën.
Shtatshkurtri shfaqet shumë i qetë në zonë dhe me finte nxjerr zbuluar një nga mbrojtësit e gjirokastritëve. I vetëm përballë Ruçit gjuan dhe e dërgon në kuadrat për 0-1.
Pjesa e dytë solli një Luftëtar më të rrezikshëm dhe më kërkues. Vendasit gjetën shpejt golin e barazimit me anë të Ymerajt në minutën e 55′. Lojtari i Luftëtarit kaloi me lehtësi mbrojtjen e “demave” dhe pushoi topin në rrjetë për 1-1.
Një moment paniku përfshiu të gjithë tifozët e pranishëm në stadiumin e Gjirokastrës që nxorën rezultatin në plan të dytë në minutën e 60′. Një përplasje ndërmjet portierit të Partizanit, Alban Hoxha dhe sulmuesit të Luftëtarit, Maldin Ymeraj ka krijuar panik.
Të dy sportistët mbeten të dëmtuar me stafet teknike që ndërhynë me shpejtësi. Hoxha doli me krahun e fashuar, ndërsa sulmuesi vazhdoi lojën. Në këtë moment ka patur dhe një problem për kapitenin e Luftëtarit, Ramadani. Ky i fundit u largua me ambulancë nga stadiumi.
Kukësi e ka mbyllur 2018 në mënyrën e duhur, teksa në javën e fundit të fazës së dytë, ka mundur 2-0 Kastriotin, duke siguruar vendin e dytë në renditje me 34 pikë. Kështu skuadra verilindore vijon të bëj një sezon të mirë, edhe pse të gjitha ndeshjet i luan larg qytetit verilindor, për shkak të mungesës së stadiumit.
Ndërkohë, sa i përket fazës së dytë, Kukësi mbetet i pathyer në shtatë javët e fundit të saj, teksa kishte regjistruar humbjen e fundit ndaj Flamurtarit më 2 nëntor. Humbja me këtë të fundit ishte dhe humbja e vetme për fazën e dytë të kampionatit, ndërkohë që e ka mbyllur me tre barazime dhe pesë fitore.
Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 2-0 për Kukësin, me ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, teksa ishte Vesel Limaj që shënoi golin e parë në minutën e dytë të takimit. Futbollisti i verilindorëve ka përfituar nga një rrëmujë në zonë, teksa një top i mbetur aty ekzekutohet në mënyrë perfekte nga Limaj që e dërgon në shtyllën e dytë.
Më pas loja është e gjitha nën kontrollin e Kukësit, ndërsa Kastrioti është i pafuqishëm për të reaguar. Goli i dytë i sfidës do të vinte në minutën e 35 të takimit, nga Reginaldo, i cili shënon me kokë pas një gjuajtje të topit nga goditja e dënimit. Kështu mbyllet pjesa e parë e lojës.
Në fraksionin e dytë të lojës, Kukësi është sërish dominues, ndërsa trajnerët respektiv të të dy ekipeve kryejnë zëvendësimet parkatëse. Por gjërat nuk ndryshojnë, pasi me sigurinë që i japin dy golat, lojtarët verilindor nuk sforcohen pasi sigurojnë fitoren që i bën të mbyllin në mënyrën e duhur fazën e dytë të kampionatit.