“Luftë” në PD për kreun grupit/ Salianji ka firmat për të qenë kreu i ri, Alibeaj largon nga grupi katër deputetë

Pozitat e Enkelejd Alibeaj si kryetar grupi këtë sesion të ri parlamentar janë lëkundur ndjeshëm nga një vit më parë. Ndryshe nga sa pritej që karrigen e tij ta merrte i zgjedhuri i Sali Berishës, revolta për shkarkimin e tij ka nisur nga brenda grupit demokrat.

Beteja këtë here po zhvillohet pa zhurma dhe larg vëmendjes se medias dhe arma që po përdoret këtë here është një stilolaps. Prej dhjetorit Ervin Salianji ka nisur revoltën nga brenda dhe po mbledh firmat për te shkarkuar Enkelejd Alibeaj nga drejtimi i grupit parlamentar. Për të marrë karrigen e trashëgimtarit të Lulzim Bashës në PD, deputetit demokrat i duhen 21 firma.

Kjo lëvizje e re brenda grupit demokrat ka shqetësuar jo pak Enkelejd Alibeajn, i cili nxori nga sirtaret vendimin për përjashtimin nga grupi parlamentar te kater deputeteve demokrat mbështetës të Berishës: Oerd Bylykbashin, Belind Këlliçin, Agron Shehajn dhe Tritan Shehun.

“Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjeçar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj. Në mungesë të aktit të distancimit, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar”, njoftoj zyra e shtypit e Enkelejd Alibeaj.

Përjashtimet e Alibeajt ndryshuan betejën e numrave në grupin kuvendor demokrat, tashmë Salianjit nga 21 firma, i duhen 18 për të marrë kryesimin e grupit.

Pasi të grumbullohen nënshkrimet e nevojshme, topi kalon në fushën e kryetares se Kuvendit Lindita Nikolla e cila duhet të marrë një vendim për betejën e re te demokrateve ne Kuvend, pasi mbi tryezën e saj ajo ka jo vetëm shkresën e Enkelejd Alibiaj mbi konfigurimin e grupit kuvendor demokrat por duhet te shprehet edhe per kërkesën e Ervin Salianjit qe gëzon mbështetjen e 21 deputeteve për të qenë kryetari i ri i grupit parlamentar.