Luan Rama: Prokuroria të hetojë dhe të zbardhë tërmetin e 26 nëntorit

Ish deputeti i LSI-së, Luan Rama ka dalë në një deklaratë për shtyp duke ju drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme.

Ai ka kërkuar që situata tragjike dhe pasojat e rënda që krijoji tërmeti i 26-nëntorit duhet të hetohet dhe të zbardhet.

Jam sërish sot në këtë konferencë për shtyp, për t’ju drejtuar sërish Prokurorisë së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë.

Situata tragjike dhe pasojat shumë të rënda që krijoi tërmeti i 26 nëntorit, padyshim na bën të gjithëve jo vetëm të reflektojmë, por bashkë me ndjenjën e solidaritetit të demonstrojmë edhe përgjegjshmërinë, në mënyrë që gjithçka ka ndodhur të evidentohet, të hetohet, të zbardhet në sytë e opinionit publik. Sepse vetëm kështu do të mund të krijohet besimi që institucionet e shtetit po e bëjnë detyrën me korrektesë dhe në përmbushje të plotë të ligjit.

Është për të ardhur keq që Prokuroria e Përgjithshme me Republikës së Shqipërisë, jo vetëm që nuk është prezente në detyrimin kushtetues për të informuar publikun për gjithçka lidhet me pasojat dhe shkaqet që çuan në këtë situatë të rëndë, por ç‘ është më e keqja, të gjithë mbajmë mend nxitimin, madje nxitimin politik të Prokurorisë për të informuar publikun menjëherë pas çdo proteste që bënte opozita a thua se nuk kishte punë tjetër Prokuroria përveç se të monitoronte veprimet e protestës qytetare dhe të opozitës.

Shqipëria prej shtatorit deri tani është goditur nga tërmete, të cilat në fakt kanë nxjerrë në sipërfaqe, kanë nxjerrë zbuluar mungesën e efiçencës, mungesën e përgjegjësisë dhe mungesën e veprimeve korrekte në zbatim të ligjit për të garantuar, për të mbrojtur dhe për të siguruar jetën e qytetarëve pikë së pari.

Prandaj, me qenë se Prokuroria edhe pas pyetjeve që i kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme vazhdon të heshtë, jam i detyruar ta pyes përsëri publikisht zonjën Prokurori të Republikës së Shqipërisë. E konsideroj zonjë në kuptimin më të mirë të fjalës dhe jo prej faktit që atë e drejton një zonjë, të paktën deri sot.

Edhe një herë dua ta pyes publikisht Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë, zonja Prokurori çfarë keni bërë për të hetuar pasojat dhe shkaqet që çuan në pasojat e rënda të tërmetit të 21 shtatorit. Të tërmetit që ishte parathënia apo paralajmërimi i natyrës për tërmetin e 26 nëntorit.

Zonja Prokurori e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, cili ka qenë grupi hetimor që ka hetuar, që ka evidentuar dhe që ka trajtuar ligjërisht në përputhje me kodin e procedurës penale të Republikë së Shqipërisë gjithçka lidhet me tërmetin e 21 shtatorit?

Zonja Prokurori e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë a keni evidentuar ju gjatë hetimit tuaj të supozuar për sa kohë nuk keni dhënë ndonjë përgjigje që e keni kryer këtë hetim, pra a keni evidentuar ju gjatë hetimit tuaj pas tërmetit të 21 shtatorit objekte, ndërtesa, godina banimi në risk, të dëmtuara në të cilat nuk duhet të kishte më qytetarë që banonin?

Zonja Prokurori e Përgjithshme sa prej godinave apo objekteve që sollën si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit humbjen e 51 jetëve të qytetarëve shqiptar kanë qenë të evidentuara si të dëmtuara, si të pa përshtatshme për të banuar në to pas tërmetit të 21 shtatorit?

Zonja Prokurori e Përgjithshme jeni e lutur të informoni publikun për gjithçka keni bërë në përmbushje të detyrës tuaj Kushtetuese në zbatim të ligjit për të evidentuar përgjegjësinë dhe për të vënë përpara përgjegjësisë të gjitha ata qytetarë, përfaqësues publik të zgjedhur publik, funksionarë të shtetit në të gjitha nivelet që me mos veprimin e tyre skandaloz dhe kriminal pas tërmetit të 21 shtatorit janë bashkë fajtorë në krimin e shëmtuar të tërmetit të 26 nëntorit. Zonja Prokurori e Përgjithshme jepini përgjigje opinionit publik shqiptar se vetëm një përgjigje transparente, korrekte dhe në zbatim të ligjit do të bind qytetarët shqiptarë dhe do të bëjë të besojnë se ju realisht po hetoni në paanshmëri e në zbatim të ligjit edhe për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit dhe shkaqet që kanë çuar në këto pasoja kaq të rënda. Zonja Prokurori e Përgjithshme demonstroni që jeni institucion I pavarur në zbatim të ligjit dhe në zbatim të Kushtetutës. Ne jemi në pritje të përgjigjes tuaj në mënyrë që qytetarët të kuptojnë se ju nuk veproni nën urdhër apo në presion politik.
Faleminderit.