Nga Redi Shehu
Nën sloganin “Make men great again”, komunitete të tëra meshkujsh, të frustruar, zhvillojnë protesta në mesin e disa shesheve të qyteteve perëndimore, për të refuzuar diktaturën e re të feminizmit. Diktaturë e cila ideologjinë e vet e mbështet në luftën kundra asaj që ata kanë qejf ta quajnë “shoqëria patriarkale”. Bile, feministet arrijnë deri aty sa këtë shoqëri e konsiderojnë si një sistem më të rrezikshëm se kolonializmi, ashtu sic Adrienne Rich, një feministe e thekur thoshte, se “trupi i gruas është terreni në të cilin është ngritur patriarkia.” Që në vitet ‘70 kur Kate Millet shkruante librin e saj “Sexual Politics” duke e kthyer atë në doktrinë dhe kulturë komunikimi lidhur me nënshtrimin dhe persekutimin e grave nga burrat, termi “shoqëri patriarkale” është bërë forma ekskluziviste me të cilin postmodernizmi kërkon të etiketojë cdo anomali të vetën.
Mjafton një vepër penale, kriminale e bërë në çdo cep të globit ndaj gjinisë femërore nga burra të çekuilibruar, menjëherë gjuha antagoniste përçarëse, imponuese dhe përgjithësuese, merr rrugë në kanalet e komunikimit publik duke u përpjekur të pasqyrojë një shoqëri në luftë të brendëshme e të përhershme gjinish. Tashmë, sipas këtij këndvështrimi, “vëllazëria” dhe “motëria” janë dy hemisfera që synojnë kapjen e lidershipit. Ky koncept liberal për barazinë, i cili jo vetëm e sheh arritjen e këtij lidershipi bazuar në konflikt të ndërsjelltë, por këtë barazi, liberalizmi e arsyeton ekskluzivisht bazuar mbi gjininë dhe seksin, duke hequr çdo parametër tjetër të të kuptuarit të barazisë përfshirë edhe dimensionin proporcional, moral dhe transhendent të saj.
Si në një pjesë të mirë të vendeve në epokën ku jetojmë, Shqipëria përfshihet herë pas here në valë të ndryshme të urryera dhune të disa burrave ndaj grave, shpesh duke shkuar deri ne ekstremet e krimit në marrjen e jetës së tyre. Ajo që vërehet, si në formën e një orkestre frymore, është kori i patizaneve të feminizmit të cilat rendin të ndërtojnë në mendimin kombëtar të një vendi, skenografinë e një beteje të përgjakshme mes gjinish, ku burri si simbol i pushtetit të padrejtë, dhunshëm persekuton gruan si qënie inferiore. Ka të paktën prej gjashtë dekadash në botë, që kjo formë e të kuptuarit të marrëdhënieve mes dy gjinive, është kthyer në mendimin e vetëm publik të kësaj bashkekzistence . Ajo nuk i ngjan një lufte të zakonshe klasash siç edhe jemi mësuar ta shohim, as edhe nje lufte mes vendesh apo kombesh, por një lufte brënda seksualitetit të qënies njerëzore me qëllim fitoren e njërës gjini mbi tjetrën.
Tani, sikur gjysheve tona tu vinin përballë zonjat e feminizmit, plot hire e makiazh, sfidante, joshëse, zhveshëse, revoltuese, botoksiste dhe tatuazhiste, do shastiseshin me revoltën e tyre pasi burri që ata kishin një jetë që kishin kaluar bashke, kish qenë gjëja më e dashur dhe shtylla kryesore mbështetëse me të cilin përballuan jetën. Kulti i grarisë, miti i “motërisë” si dhe homogjenizimi i vuajtjes që lëvizja feministe portretizon, pa çka konteksteve dhe indvidualiteve te ndryshme të gjinisë femërore, është diçka thjesht e pakupteshme për to sepse rrafshon kontekstet dhe historitë e vetë grave. Ashtu siç nuk arrijnë të kuptojnë se si mundet që një vepër e rëndomtë kriminale, si çdo vepër tjetër e kësaj natyre, të afishohet si një rend burrëror që shtyp gratë e çliruara. Që kur “shoqëria patriarkale” u injektua si term nga shoqëria civile, e cila ia arriti t’i japë asaj statusin e një të vërtete të vetkuptueshme e të pa analizueshme, familja si koncept pësoi rrënimin më të madh që kishte njohur më parë.
Gënjeshtra e madhe e liberalizmit e bëri njeriun të lirë në aparencë, por në thelb e ktheu në skllavin më të dalluar të ikjes morale, i hoqi atij kuptimin për hierarkinë dhe për pasojë shkatërroi përgjegjësinë që buron prej saj. Edhe pse jetojmë në një botë ku gjithçka bazohet mbi sistemin hierarkik të funksionimit, shtetet, institucionet, religjionet, kompanite, korporatat, shoqëria civile, institucionet ndërkombëtare, institucionet financiare, intitucionet arsimore, shëndetsore etj, pra, gjithçka që të funksionojë ka nevojë t’i ikë kaosit dhe shpërbërjes dhe këtë e bën me anën e sistemit hierarkik të komandës dhe përgjegjësisë. Imagjinoni një botë njerëzore pa hierarki. Do ishte më poshtë se ajo e kafshëve. E tani, gënjeshtra e liberalizmit kulmon kur thotë se e vetmja bërthamë e cila nuk ka nevojë për hierarki është pikërisht familja, pa komandë e për rrjedhojë pa përgjegjësi. Pra, esenca nga ku burojnë kombet, nga ku fillon administrimi i shtetit, i ekonomisë, i arsimit, zemra e fesë, dhe i çdo organizimi njerëzor, nuk paska nevojë për hierarki?!. Gënjeshtra tjetër edhe më e madhe është kur lëvizja feministe, si ana më “romantike” e liberalizmit, nënkupton se hierarkia domosdoshmërisht do të thotë dhunë. Të barazosh strukturimin e familjes, përgjegjësitë dhe detyrat që rrjedhin ndaj saj me dhunën kriminale që disa kriminelë ushtrojnë ndaj grave, kjo është t’i vësh minat bazamentit të të gjithë shoqërisë njerëzore.
Askush nuk kërkon të mbrojë apo të justifikojë dhunën, dhe trajtimin poshtërues ndaj grave të disave që i thonë vetës burra. Ato janë thjesht vepra penale kriminale që duhet të kenë dënimin e merituar. Por ama, kthimin e familjes nga streha e rehatisë në vatrën e konfliktit po e bëjnë me shumë sukses pikërisht këto lëvizje globale. E në fakt, e gjitha shoqëria njerëzore ndjehet e hedhur në erë. Kurrë kjo e fundit nuk është përballur kaq shumë e kaq rëndë me krizën e familjes, kjo vetëm pasi liberalizmi shkatërroi konceptin e hierarkisë . Injektimi i psikozës së luftës gjinore ku gratë kërkojën të dalin nga shtypja bëhet pa thënë asnjëherë se cili është kufiri i kësaj shypjeje dhe kush e përcakton këtë shtypje?
Lëvizja feministe kërkon të ndërtojë një idetitet të ri gjinor i cili nuk ka cak, nuk ka autoritet, nuk ka hierarki dhe nuk ka moral e përgjegjësi. Me këtë deformimi identitar, ajo qoftë dhe pa kuptuar, po kontribuon në ndërtimin e konfliktit masiv ndërgjinor, në ndërtimin shkatërrues të së ardhmes. Për këtë mjafton të shikosh statistikat e dekadave të fundit për të kuptuar se ku shkon një familje pa përgjegjësi. Vetë familja dhe vetë anëtarët e saj kanë dalë nga thelbi për të cilin ata jane krijuar të jenë si familje, e kur një familje nuk e di thelbin e saj se përse ekziston, atëherë si burrat dhe gratë e saj nuk dinë më si të sillen me njëri-tjetrin. Alasdair MacIntyre e portretizon ndryshe këtë gjendje kur thotë :”Liberalizmi individualist, e koncepton unin e njeriut të ndarë nga rolet që merr përsipër. Pra uni ushtron role të cilat nuk përbëjnë thelbin e tij. Pikërisht këtë liberalizmi e konsideron si arritje”. Sot, jo vetëm që rolet e ndërsjellta mes burrave dhe grave në familje dhe shoqëri janë në pragun e kaosit, por ajo që është akoma më shqetësuese është fakti se kjo konsiderohet si arritje, si emancipim, si progres. Është një gjë të konstatosh se je duke rënë në humnerë, por është një gjë krejt tjetër ta konsiderosh këtë theqafje si arritjen më të madhe.