Lirohen 4 të arrestuarit për skandalin e pagërrjedhjes

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë ndaj 4 të arrestuarve lidhur me skandalin e pagërrjedhjes.

Eni Qirjako, Andi Agaraj, Endri Ikonomi dhe Klodian Sota janë liruar nga qelia me masa më të buta sigurie. Konkretisht gjykata vendosi pezullim nga detyra dhe detyrim paraqitjeje për Eni Qirjakon, dhe arrest shtëpie për Andi Agaraj, Endri Ikonomi dhe Klodian Sota.

Dy nga të arrestuarit për skandalin e pagërrjedhjes janë punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ndërsa dy personat e tjerë janë punonjës të sektorit privat.

Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj në një deklaratë për mediat tri ditë më parë sqaroi se specialistja e IT-së, Eni Qirjako i ka çuar të dhënat kolegut të saj, Andi Agarajt i cili ka shfrytëzuar marrjen e të dhënave në mënyrë të paautorizuar dhe ka arritur që këto të dhëna tua shesë kundrejt pagesës subjekteve private. Blerësit e arrestuar që punojnë në sektorin privat janë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.