Lideri i opozitës në Turqi kritikon vendimin e BE-së

Lideri i CHP-së Kemal Kılıçdaroğlu thotë se Turqia do të mbrojë të drejtat e saj në Mesdheun Lindor "deri në fund"

Lideri i partisë kryesore opozitare në Turqi ka kritikuar vendimin e Këshillit Evropian (KE) për të suspenduar bisedimet e niveleve të larta me Ankaranë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi të drejta në Mesdheun Lindor, ne do të mbrojmë këto të drejta deri në fund”, ka thënë Kemal Kılıçdaroğlu, kryetari i Partisë Popullore Republikane (CHP), para grupit të tij parlamentar.

Kılıçdaroğlu theksoi se asnjëherë nuk do të pranojnë “sanksionet e mundshme të imponuara nga BE-ja”.

“Përderisa BE-ja nuk braktis zbatimin e standardeve të dyfishta ndaj Turqisë, ajo nuk ka vlerë në këtë territor”, theksoi ai.

Kılıçdaroğlu kritikoi “papërgjegësinë” e BE-së ndaj Turqisë.

KE-ja publikoi një deklaratë përfundimtare pas takimit të djeshëm të Këshillit të BE-së për çështje të jashtme ku morën pjesë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare.

Në kumtesën e Këshillit thuhet se për shkak të “aktiviteteve të vazhdueshme dhe të reja të shpimeve ilegale të Turqisë, Këshilli do të suspendojë bisedimet për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Transportit Ajror dhe ka rënë dakord që të mos mbahet Këshilli i Asociimit dhe takimet e mëtejme të dialogut të nivelit të lartë BE-Turqi për momentin”.