Kuvendi miraton ndryshimet në ligjin “Për Gjendjen Civile”

Kuvendi miratoi sot ndryshimet në ligjin “Për Gjendjen Civile”.
Këto ndryshime parashikojnë zgjidhjen e problematikave të ndeshura gjatë zbatimit të ligjit, siç janë dy prej çështjeve kryesore lidhur me ndryshimin e politikave të ndjekura nga Këshilli i Ministrave për administrimin e bazave të të dhënave shtetërore si dhe pezullimin për gjashtë muaj të masës administrative që aplikohet ndaj atyre shtetasve që nuk deklarojnë ndryshimin e vendbanimit brenda afateve ligjore.

Gjithashtu ndryshimet synojnë edhe të rregullojnë në mënyrë përfundimtare gjendjen e krijuar me fëmijët e lindur jashtë Shqipërisë.

Projektligji parashikon që në rastet kur akti i lindjes i hartuar në një shtet tjetër ka të dhëna të paplota ose të pasakta, është kompetencë e Gjykatës shqiptare të bëjë vërtetimin e faktit juridik të lindjes, me qëllim regjistrimin në zyrat e gjendjes civile. Kërkesa shqyrtohet nga gjykata e rrethit gjyqësor në të cilin kanë vendbanimin prindi ose prindërit e fëmijës për të cilin kërkohet regjistrimi. Gjykata vendos shqyrtimin e kërkesës për vërtetimin e faktit juridik të lindjes brenda 45 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës, duke thirrur me cilësinë e personit të interesuar zyrën e Gjendjes Civile.

Kuvendi gjithashtu votoi me 72 vota pro z. Alfred Lako si anëtar të Bordit të Institutit për Studimet e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.

Ndërsa për mungesë kuorumi u mbartën për seancën tjetër Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”./ATSH