Kuvendi i Shqipërisë nesër seancë për dekretin e presidentit Meta

Kuvendi i Shqipërisë, do të miratojë nesër dekretin e presidentit Meta për shkarkimin e ish-ministrit të Brendshëm, ka njoftuar kryeministri Rama

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet nesër në një seancë të jashtëzakonshme ku pritet të miratohet dekreti i presidentit të vendit, Ilir Meta, për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, që dha dorëheqjen nga ky post, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mbajtja e seancës parlamentare nesër është njoftuar në rrjetet sociale nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Dakordësi e plotë në grupin parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të Brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër”, shkruan Rama.

Ndërkohë, sot presidenti Meta dhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, janë takuar në selinë e Presidencës së Shqipërisë, ndërsa dje për këtë çështje Meta realizoi një takim edhe me kryeministrin Rama.

Kujtojmë se presidenti Meta, nuk ka dekretuar emërimin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë. Presidenca e Shqipërisë njoftoi se “Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”.

Meta vendosi të dekretojë shkarkimin e ministrit Xhafaj ditën e dorëheqjes, ndërsa nuk vendosi emërimin me dekret të kandidaturës për të drejtuar Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë.

Kujtojmë se ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, dha dorëheqjen më 27 tetor të këtij viti pa dhënë arsye korrekte, nga posti që e mbante që prej 13 shtatorit 2017.

Pas dorëheqjes së tij, u propozua Sandër Lleshi nga kryeministri Rama për postin e ministrit. Sandër Lleshi, ka mbajtur deri tani postin e këshilltarit për çështjet e sigurisë të kryeministrit të Shqipërisë.

Nga ana tjetër opozita ka drejtuar në muajt e fundit akuza në drejtim të Xhafajt duke pretenduar se vëllai i tij ka qenë i përfshirë në trafik droge.