Kuvendi i Shqipërisë miraton dekretin për shkarkimin e ministrit të Brendshëm

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh ditën e sotme në një seancë jashtë radhe, ku kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij tha se presidenti i vendit nuk ka kompetencë që të refuzojë propozimet e kryeministrit, por ka detyrë që t’i dekretojë

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 75 vota pro dekretin e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh ditën e sotme në një seancë jashtë radhe, ku kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij tha se presidenti i vendit nuk ka kompetencë që të refuzojë propozimet e kryeministrit, por ka detyrë që t’i dekretojë.

“Kushtetuta i ka të përcaktuara qartë të 12 kompetencat e presidentit. Kushtetuta nuk i njeh presidentit kompetencën për t’i refuzuar propozimet e kryeministrit”, u shpreh Rama.

Më tej gjatë fjalës së tij, Rama theksoi: “Sot votojmë shkarkimin e Fatmir Xhafës, më pas do vendosim në qeveri ministrin e Brendshëm të refuzuar nga presidenti, natyrisht në postin e zëvendësministrit dhe do i japim ca ditë kohë presidentit ta bluajë si çështje, po edhe vetes për të hedhur hapin tjetër. Gjenerali nga sot do të drejtojë punët e brendshme”.

Kujtojmë se presidenti Meta, nuk dekretoi emërimin e Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë. Presidenca e Shqipërisë njoftoi se “Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”.

Meta vendosi të dekretojë shkarkimin e ministrit Xhafaj ditën e dorëheqjes ndërsa nuk vendosi emërimin me dekret të kandidaturës për të drejtuar Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, dha dorëheqjen më 27 tetor të këtij viti pa dhënë arsye konkrete nga posti që e mbante që prej 13 shtatorit 2017.

Pas dorëheqjes së tij, u propozua Sandër Lleshi nga kryeministri Rama për postin e ministrit. Sandër Lleshi, ka mbajtur deri tani postin e këshilltarit për çështjet e sigurisë të kryeministrit të Shqipërisë.

Nga ana tjetër opozita ka drejtuar në muajt e fundit akuza në drejtim të Xhafajt duke pretenduar se vëllai i tij ka qenë i përfshirë në trafik droge.

Në sallën e Kuvendit të Shqipërisë edhe gjatë seancës së sotme plenare kanë qenë të pranishëm vetëm deputetët e Partisë Socialiste ndërsa opozita sërish nuk ka marrë pjesë duke vijuar bojkotin që e ka filluar që në hapje të sesionit parlamentar në shtator, me pretendimin për të përshpejtuar vetingun në politikë.