Kuvendi i Shqipërisë debat për procesin e integrimit në BE

"Ne të vazhdojmë punën që kemi përpara, sepse ka shumë për të bërë akoma, ka shumë gjëra për të përshpejtuar dhe ka shumë sfida për të fituar", theksoi kryeministri i Shqipërisë

Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë është përfshirë nga debatet mes deputetëve dhe drejtuesve të opozitës dhe maxhorancës rreth procesit të integrimit evropian të vendit dhe rreth vendimit të Bashkimit Evropian (BE) për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Deputetët e partive opozitare, të Partisë Demokratike të Shqipërisë(PD) dhe Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim(LSI) pretenduan gjatë diskutimeve në seancë se nga BE nuk ka një datë të caktuar për fillimin e negociatave të anëtarësimit.

Pjesë e debatit parlamentar ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se Shqipëria e ka marrë datën për negociatat. “Çfarë mund të debatojmë ne këtu. Të debatojmë pse Shqipëria ka këtë opozitë, që është e vetmja në historinë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian që punon ditë-natë kundër vendit të vet. Ne të vazhdojmë punën që kemi përpara, sepse ka shumë për të bërë akoma, ka shumë gjëra për të përshpejtuar dhe ka shumë sfida për të fituar”, theksoi kryeministri i Shqipërisë.

Rama tha se sot ka marrë ftesën, bashkë me kryeministrin e Maqedonisë, për të shkuar në ditët e ardhshme në Bruksel, për të diskutuar me delegacionet me Komisionin Evropian për punën përgatitore, që është sipas tij, puna e gjithë procesit analitik për hapjen e negociatave.

Lideri i opozitës dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, theksoi se ka një shtyrje të vendimit me një vit dhe nëse kushtet nuk plotësohen përsëri, sipas tij, nuk ka hapje të negociatave.

“Qytetarët duhet ta kuptojnë që vendimin për hapjen e negociatave e marrin vendet anëtare. Këshilli Evropian do të respektojë konsensusin e vendeve anëtare. E vërteta është ndryshe. Këshilli Evropian sot nuk do të vendos për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe do të respektojë konsensusin e vendeve anëtare. Vendimi për hapjen ose jo të negociatave do të shqyrtohet edhe një herë në qershor të vitit 2019, sepse Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet, sepse Shqipërisë i janë shtuar kushtet”, tha Basha.

Ndërsa ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se Këshilli i BE-së ka përcaktuar qartë një afat kohor, si dhe instrumentet e përgatitjes së rrugës për këtë proces, sipas tij, duke i kërkuar Komisionit fillimin e përgatitjeve për procesin e negociatave.

Kujtojmë se në prill të këtij viti Komisioni Evropian vendosi të rekomandojë fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa BE vendosi shtyrjen e fillimit të negociatave vitin e ardhshëm.