Kuvendi i Kosovës të hënën seancë të jashtëzakonshme për taksën

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit të Kryesisë së Kuvendit tha se nuk sheh kurrfarë tendence të askujt nga Qeveria, sikurse vlerësojnë disa, që të dëmtohen marrëdhëniet me SHBA-të

Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme të hënën me kërkesë të opozitës, ku do të diskutohet lidhur me njoftimin për heqjen e taksave për importet e lëndëve të para nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, ka vendosur Kryesia e Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas seancës së Kryesisë së Kuvendit tha se të hënën do të mbahet seanca e jashtëzakonshme me kërkesë të 41 deputetëve në lidhje me njoftimin e kryeministrit Albin Kurti për shfuqizimin e taksës për mallrat nga Serbia dhe BeH.

Nismën për mbledhjen e nënshkrimeve të deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit e ndërmori grupi i deputetëve të partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Shefi i grupit parlamentar, Daut Haradinaj tha se partia e tij do të përdorë të gjitha mjetet ligjore, përfshirë protestat, për të parandaluar heqjen e taksës.

“Ne kemi thënë hapur se jemi kundër heqjes së taksës derisa Serbia vazhdon me të vjetrën. Është e qartë se Serbia nuk e ka ndryshuar qëndrimin e saj në marrëdhëniet me Kosovën. Këtë e pamë dje si një nënshtrim ndaj Serbisë dhe mendojmë se ai kishte gabuar sepse nuk kishte kompromis apo koordinim të plotë me SHBA-të dhe siç duket nuk as me partnerin e koalicionit”, tha Haradinaj, i cili është vëllai i Ramush Haradinajt, i cili derisa ishte kryeministër i Kosovës në nëntor 2018 vendosi taksën prej 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe BeH.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kryeparlamentarja Osmani tha se drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), nënkryetare e së cilës është, do të zhvillojnë sot një takim me kryeministrin Kurti për të diskutuar propozimin e tij lidhur me taksën. Ajo gjithashtu theksoi se nuk shihte ndonjë prirje të askujt në Qeveri, siç vlerësojnë disa njerëz, për të dëmtuar marrëdhëniet me SHBA-të.

“Në fakt, unë shoh gatishmërinë e plotë të të gjithë anëtarëve të Qeverisë për të koordinuar çdo veprim me partnerët tanë me të cilët kemi marrëdhënie ekzistenciale. Unë bëj thirrje për harmonizim dhe në rast të ndonjë detaji që nuk ka pëlqim për momentin, jam e bindur se ajo do të arrihet shumë shpejt”, tha Osmani.

Ajo shtoi se duhet të merren parasysh interesat e vendit si dhe të partnerëve strategjikë të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se më 15 mars do të shfuqizojë taksën prej 100 për qind për importet e lëndës së parë nga Serbia dhe BeH dhe në kthim nga Serbia pritet të pezullojë fushatën e saj për tërheqjen e njohjeve dhe heqjen e barrierave jo tarifore për ekonominë e Kosovës. Nëse Serbia u përgjigjet pozitivisht këtyre kërkesave, Qeveria e Kosovës më 1 prill do të heqë plotësisht taksën prej 100 për qind për importet e të gjitha mallrave nga Serbia dhe BeH për 90 ditë.

Kurti tha se më 1 prill fillon zbatimi gradual i reciprocitetit ndaj Serbisë. “Nëse nuk ka reflektim nga pala serbe edhe pas një periudhe 90-ditore për heqjen e taksës për lëndën e parë, atëherë Qeveria nga 15 qershori do t’i kthejë tarifat derisa të aplikohet reciprociteti i plotë”, tha Kurti.

Ndaj këti vendimi të Kurtit kishte reaguar ashpër i dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili tha se Kurti po bënte një gabim serioz, pasi SHBA kërkon heqjen e plotë të taksës pa kushtëzime. Megjithatë, Bashkimi Evropian përshëndeti vendimin e kryeministrit Kurti për heqjen e pjesërishme dhe me kusht të taksave, duke thënë se ky ishte një hap i parë dhe se priten më shumë detaje.

Ish-Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj vendosi taksën në nëntor 2018 që çoi në bllokimin e dialogut me Serbinë. Të gjithë aleatët ndërkombëtarë kërkojnë që Kosova të heqë taksën për ta kthyer Serbinë në tryezën e bisedimeve. Pas vendosjes së taksës, Serbia ndërpreu dialogun me Kosovën, i cili u zhvillua në Bruksel me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.