Kuvendi i Kosovës shënon 31-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Dita e Pavarësisë së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, i ka rrënjët në Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990...

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne për të shënuar 31-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancë kanë marrë pjesë një pjesë e delegatëve të cilët kanë qenë pjesëmarrës në miratimin e deklaratës në fjalë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe të ftuar të tjerë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, para të pranishmëve tha se miratimi i Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990 është datë me rëndësi për historinë dhe shtet-ndërtimin e Kosovës.

Konjufca tha se Dita e Pavarësisë së Kosovës, e shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, i ka rrënjët në Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990.

“Përmes shpalljes së Kosovës republikë e pavarur nga Serbia, delegatët e 2 korrikut ishin mishëruesit e vërtetë të vullnetit kolektiv të popullit tonë për liri dhe të drejtën e vetëvendosjes. Mbi supet e tyre peshonte aspirata e kamotshme e popullit tonë për mëvetësi”, theksoi Konjufca.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po ashtu ishte e pranishme në seancën solemne, tha se akti i miratimit të Deklaratës Kushtetuese e ka artikuluar kërkesën e qytetarëve për liri.

Osmani tha se 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës duke mos e pranuar shtypjen, as hegjemoninë serbe, u ngritën mbi shtypjen e kërcënimin duke deklaruar kumbueshëm vullnetin e pathyeshëm të qytetarëve për liri.

“Deklarata Kushtetuese e miratuar nga delegatët e asaj kohe ishte akt politik dhe juridik me të cilën Kosova përfundimisht nuk pranoi t’i nënshtrohej shtypjes serbe, e cila kishte sunduar dhunshëm për shumë vjet dhe po bëhej gati ta mbyllte me projektin e depërtimit dhe shfarosjes së shqiptarëve të Kosovës”, tha Osmani.

Osmani tha se delegatët ja bënë të qartë botës demokratike se ideja e lirisë dhe refuzimi i ideologjive të rrezikshme ishin edhe vullnet, por edhe orientim strategjik i Kosovës.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës i Legjislaturës së vitit 1990, Iljaz Ramajli, tha se shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut i kanë paraprirë unifikimi i plotë i popullit shqiptar në Kosovë, kërkesat gjithë-popullore për mëvetësi, liri dhe barazi, por edhe qëndrimet e partive politike në vend.

Ramajli kujtoi se shpallja e Deklaratës Kushtetuese ishte bërë jashtë ndërtesës së Kuvendit të atëhershëm.

“Përkundër mbylljes së dyerve të Kuvendit, delegatët siç e dini, duke qenë të vendosur për të çuar në vend vullnetin politik të popullit të Kosovës, para dyerve të ndërtesës së Kuvendit, nën qiellin e hapur, e mbajtën mbledhjen e 2 korrikut dhe shpallën Deklaratën Kushtetuese. Mbledhjen e udhëhoqi Bujar Gjurgjeala, ndërsa deklaratën e lexoi Muharrem Shabani”, tha Ramajli.

Të pranishmit në fund të seancës përcollën edhe një dokumentar të transmetuar në sallën e seancave plenare në Kuvend, që tregonte në kronologji ngjarjet deri dhe pas 2 korrikut të vitit 1990, si dhe u zbulua një pllakë përkujtimore në dyert e Kuvendit, pikërisht në vendin ku u shpall Deklarata Kushtetuese.

Më 2 korrik të vitit 1990, 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës që atëherë përfaqësonin Kosovën me status krahine në Serbi, nënshkruan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës, e njohur edhe si Deklarata e 2 korrikut.

Ajo është konsideruar si gur themeli i shtetit të Kosovës, për shkak se shënoi pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar trajtim të barabartë me republikat e atëhershme socialiste brenda Federatës Jugosllave. Miratimi i Deklaratës së 2 korrikut, me shpalljen e Kosovës njësi të barabartë të federatës jugosllave, u hapi rrugë veprimeve të mëtutjeshme të shtet-formimit.