Kuvendi i Kosovës nuk arriti të harmonizojë tekstin e Rezolutës mbi dialogun me Serbinë

Në fund të debatit në sallë nuk kishte as kuorum andaj Rezoluta e propozuar nga ana e opozitës, LIdhjës Demokratike të Kosovës (LDK), Lëvizjes Vetëvendosje dhe Alternativës, nuk u vendos për votim

Pas gati tetë orë debat për angazhimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi që për “shkëmbimin e territoreve” ose “korrigjimin e kufirit” të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, deputetët e Kuvendit nuk arritën të dakordohen rreth tekstit të përbashkët të Rezolutës. Seanca do të vazhdojë nesër, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fund të debatit në sallë nuk kishte as kuorum andaj Rezoluta e propozuar nga ana e opozitës, Lidhjës Demokratike të Kosovës (LDK), Lëvizjes Vetëvendosje dhe Alternativës, nuk u vendos për votim. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, si propozues i Rezolutës, kërkoi që nesër të vazhdohet seanca dhe votimi për Rezolutën të jetë pika e parë e rendit të ditës. Ai tha se para votimit të seancës mund sërisht të bisedohet mbi tekstin e Rezolutës, por megjithatë insiston që në votim të vendoset teksti i propozuar i Rezolutës.

Hoti më herët propozoi që Rezoluta të ketë vetëm një pikë “Territori i Republikës së Kosovës është i pandashëm as presidenti dhe askush tjetër nuk ka të drejtë të negociojë mbi tërësinë e territorit të Kosovës”.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, rikujtoi se në emër të partisë së tij ai propozoi disa pika shtesë të Rezolutës për të arritur një konsensus mbi çështjen e dialogut me Serbinë. Ai tha se opozita pritej të ishte konstruktive dhe të mos kushtëzonte me atë “merr ose ler”.

Krasniqi kërkoi sqarim nga opozita se cilat pika të propozuara të Rezolutës për ta janë kontestuese, se ai konsideron se Rezoluta duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të trajtojë gjithçka që diskutohet gjatë ditës në Kuvend. Ai gjithashtu i bëri thirrje opozitës që nëse dëshiron të arrijë diçka të përbashkët, nesër të rishqyrtojnë tekstin e përbashkët të rezolutës, sepse përndryshe do të ishte vetëm një vazhdim i lojës së inateve, që ka mbajtur vendin për disa muaj në ngecje.

Krasniqi më herët në emër të PDK-së propozoi disa pika të rezolutës, duke përfshirë krijimin e një platforme të përbashkët për dialog, formimin e një Komisioni të posaçëm të Kuvendit që do të mbikqyrë negociatat dhe përfshirjen e opozitës në delegacionin e Qeverisë për dialog me Serbinë.