Kuvendi i Kosovës miraton Platformën për Dialogun me Serbinë

Për Platformën votuan 61 deputetë, ndërsa kishte vetëm një votë të përmbajtur

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Platformën për Dialogun me Serbinë për marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Agjencia Anadolu (AA).

Për Platformën votuan 61 deputetë, ndërsa kishte vetëm një votë të përmbajtur. Deputetët e partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në debatin për Platformën, e as nuk kanë votuar.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës më herët kanë votuar në lexim të dytë edhe ligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.