Kuvendi i Kosovës miraton buxhetin për vitin 2020

Kosova ka ngelur vonë në miratimin e projekt-buxhetit për këtë vit, ngase pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019, Qeveria e re e Kosovës u formua tek më 3 shkurt

Me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Kuvendi i Kosovës, raportin me amendamente të komisionit funksional për Buxhet dhe Transfere, për miratimin e këtij projektligji, e paraqiti kryetari i këtij komisioni, Hekuran Murati.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, kur u votua buxheti 2020, nuk morën pjesë deputetët e opozitës, për shkak se siç tha shefi i Grupit Parlamentar të partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, shumica parlamentare po e “trafikon projektligjin për buxhetin”, duke e votuar shumë shpejt në kohë të sfidave të vendit me koronavirusin COVID-19.

Fillimisht ligji u kalua me 63 vota për në shqyrtim të parë, ndërsa më pas iu dërgua komisioneve përkatëse për amandamentimin e ndryshimeve të projektligjit për të ardhur përsëri në kuvend për t’u votuar në shqyrtim të dytë.

Gjatë seancës e cila zgjati me diskutime edhe për situatën aktuale të krijuar në vend pas konfirmimit të rasteve me koronavirus, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, propozoi mocion që me procedura të përshpejtuara të shqyrtohet Projektbuxheti për vitin 2020.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që ta votojnë buxhetin. Ai tha se në situatën aktuale të krijuar me koronavirusin, ka gjasë që të mos mbahet më asnjë seancë javëve në vijim.

“Edhe ne nuk do të donim që gjithçka të bëhet brenda një dite, por nuk ka garancion që mund të mbajmë seanca në javët apo ditët në vijim, sepse nuk e dimë se çka do të ndodhë me virusin. As ne nuk jemi në rregull këtu me rregullat e përcaktuara. Nuk mund të kemi buxhet emergjent pa pasur buxhet të ri. Ju ftoj që ta kalojmë sot buxhetin, ta votojmë propozimin e Rexhep Selimit. Ky buxhet nuk është i ri, ashtu siç është qeveria e re. Janë mbi 300 milionë euro obligime”, tha Kurti.

Para deputetëve, Projektligjin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2020 e prezantoi ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, i cili tha se me rregullimet që janë bërë, projektligji është dukshëm më i avancuar se drafti që e ka bërë qeveria e kaluar.

Bislimi tha se buxheti i sivjemë parasheh shpenzime buxhetore prej 2 miliardë e 357 milionë euro, ndërsa parashihet një rritje ekonomike prej 4,2 për qind me terma realë.

Ai bëri të ditur se do të ketë nevojë për intensifikim të angazhimeve me mekanizmat kyç të financimit, siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore.

Kosova ka ngelur vonë në miratimin e projekt-buxhetit për këtë vit, ngase pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019, Qeveria e re e Kosovës u formua tek më 3 shkurt. Afati i fundit ligjor për Kuvendin e Kosovës për të miratuar projektligjin e propozuar për buxhetin është 31 marsi.