Kuvendi i Kosovës do t’i ketë 14 komisione parlamentare

"U pajtuam në Kryesinë e Kuvendit që të kemi 14 komisione të cilat do të mbikëqyrin ministritë e caktuara, varësisht nga fushëveprimtaria e tyre", tha kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që numri i komisioneve parlamentare në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës të jetë 14, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka thënë se bazuar në fuzionimin e ministrive do të ketë edhe fuzionim të komisioneve. Nga 16 komisione sa kanë qenë në legjislaturën e kaluar, tani është vendosur që ato të jenë vetëm 14.

“Me qenë se kemi një risistematizim të ministrive dhe zvogëlim të numrit të ministrive është dashur edhe komisionet të përshtaten në përputhje me këtë. U pajtuam në Kryesinë e Kuvendit që të kemi 14 komisione të cilat do të mbikëqyrin ministritë e caktuara, varësisht nga fushëveprimtaria e tyre”, tha Osmani.

Osmani njoftoi se mbledhjet e kryesisë së Kuvendit tash e tutje do të mbahen çdo të hënë, “për dallim nga ministria e kaluar e cila ka lejuar grumbullimin e pikave”.

Mes tjerash, Osmani ka folur edhe për buxhetin e Kosovës për vitin 2020, e cila tha se shpreson që javën tjetër do të trajtohet në Kuvend të Kosovës kërkesa për zgjatje buxhetore deri në muajin mars, apo të vendoset në rend dite buxheti në tërësi i vitit 2020.

Këtë mbledhje të kryesisë para se të përfundonte e ka braktisur subjekti opozitar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me arsyetimin se Vjosa Osmani ka larguar nga zyra e saj fotografinë e presidentit Hashim Thaçi, udhëheqësit të dikurshëm të PDK-së.

“Kërkojmë që fotografia zyrtare e presidentit të vendit Hashim Thaçi, të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi, të kthehet në vendin e vet dhe zonja Osmani të ndalojë veprimet që nuk janë në përputhje me ligjin dhe të cilat e pamundësojnë opozitën të jetë në institucione”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.

Por, Osmani mohoi që një gjë e tillë të ketë ndodhur.

“Fotografia e presidentit aktual në asnjë moment nuk është larguar nga ana e kabinetit tim, por vetëm është zhvendosur. Ligji për protokollin e sqaron qartë që fotografia duhet të jetë brenda institucionit, pra përderisa është brenda kësaj ndërtese absolutisht vendi nuk është i rëndësishëm. Vendi është i dukshëm, është brenda zyrës së njëjtë, ka ndryshuar vetëm ana dhe është në përputhje të plotë me ligjin”, tha Osmani, duke i bërë thirrje PDK-së që të kthehet në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit.