Kush janë sportistët që fitojnë më së shumti në Instagram

Hopper HQ, shoqëri britanike që shet shërbime për menaxhimin dhe marketingun për rrjetet sociale, ka hartuar klasifikimin “Instagram Rich List 2019” (yjet që fitojnë më shumë para nga një postim në Instagram).

Në klasifikimin e sportistëve, në vend të parë qëndron ylli portugez i Juventusit, Cristiano Ronaldo. Sipas Hopper HQ, futbollisti ka rreth 173 milionë ndjekës dhe për një postim të sponsorizuar në rrjetin social të fotografive, mund të fitojë rreth 975 mijë dollarë, transmeton Monitor.

Futbollistët dominojnë vendet e para në këtë klasifikim të përvitshëm. Në vend të dytë, braziliani Neymar, i cili ka rreth 121,4 milionë ndjekës në profilin e tij. Nga një postim, futbollisti fiton rreth 722 mijë dollarë.

Lionel Messi, në vend të tretë, me rreth 123 milionë ndjekës, fiton rreth 648 mijë dollarë për një postim. I katërti, David Beckham (fiton rreth 357 mijë dollarë për një postim), ndjekur nga Ronaldinho (në vend të 6, me 256 mijë dollarë për një postim); Bale (në vend të 7 me rreth 218 mijë dollarë), Ibrahimovic (në vend të 8, me 200 mijë dollarë), Luis Suarez (në vend të 10, 184 mijë dollarë) dhe Salah (12°, 165 mijë dollarë).