Kukës-Morinë, dublimi i urave përfundon brenda këtij viti

Duket se shumë shpejt punimet në Rrugën e Kombit do të përfundojnë.

Duket se shumë shpejt punimet në Rrugën e Kombit do të përfundojnë.

Brenda këtij viti përfundon ndërtimi i të 7-të urave dubluese me të gjitha elementët e sigurisë, në segmentin Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e urave në segmentin Kukës-Morinë, kërkoi nga kompania përgjegjëse, të intensifikojë punën për ta përmbyllur këtë investim brenda këtij viti duke i dhënë fund problematikës së trashëguar.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) Afrim Qendro shprehet se, ky investim do të rrisë ndjeshëm sigurinë rrugore duke e kthyer segmentin brenda standardeve.

Sipas tij, punimet po kryen falë fondeve të akorduara nga qeveria shqiptare, ndërsa investimi pritet të ndikojnë në qarkullimin më të lirshëm të automjeteve. Në fazën e parë të punimeve është ndërhyrë për ndërtimin e kolonave dhe trarëve të tërthortë kryesorë, ndërsa ndërtimi i plotë i tyre parashikohet në fund të këtij viti.

Në segmentin Kukës-Morinë janë gjithsej 7 ura të cilat aktualisht janë të padubluara, pra me dy korsi nga katër që duhet të jenë. Punimet për ndërtimin e këtyre urave kanë nisur që në vitin 2OO9, por për shkak të mungesës së fondeve punimet janë shtyrë.

Ndërhyrja zgjidh problemin e ndërtimit të rrugëve lidhëse të fshatit Pobreg me qëllim hyrje-daljen e mjeteve të kësaj zone në aksin Kukës-Morinë. Gjithashtu, për rritjen e sigurisë rrugore dhe qarkullimin e këmbësorëve në fshatrat e komunitetit anës segmentit Kukës-Morinë, parashikohet vendosja e tre mbikalimeve. /ATSH