Kryeministri Kurti u prit në takim bilateral nga Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer

Në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, me ceremoni shtetërore të gardës ceremoniale, Kryeministri i Republikës Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, për një takim bilateral, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës si dhe për kontributin e Austrisë në paqen, sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës dhe rajonit.

“Austria është mike e ngushtë dhe partnere e rëndësishme e Kosovës. Na ka ndihmuar në përpjekjet tona për çlirim dhe për të siguruar paqe, së bashku me ushtarët austriakë që kanë shërbyer për shumë vite në misionin e NATO-s në Kosovë, dhe për dekada ka mbështetur Kosovën, sidomos në sistemin e edukimit”, tha kryeministri Kurti.

Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale tashmë të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e rritjes dhe fuqizimit të mëtejmë të tyre në të gjitha fushat, me theks te bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimi tregtar. Me këtë rast, Kurti e ftoi kancelarin Nehammer që t’i bashkëngjitet njërit nga shumë delegacionet ekonomike austriake që do të vizitojnë Kosovën gjatë këtij viti.

Kryeministri Kurti e njoftoi kancelarin Nehammer për punën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës në kuadër të agjendës së saj reformuese dhe të agjendës integruese, derisa e njoftoi atë edhe “për qasjen proaktive, konstruktive dhe kreative të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë”, duke nënvizuar se dialogu duhet të prodhojë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me njohje reciproke në qendër.

“U diskutua edhe për agresionin ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën dhe për rrezikun e ndikimit malinj të Rusisë në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet aktorëve të ndryshëm”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Kryeministri Kurti gjatë qëndrimit njëditor në Austri po ashtu do të marrë pjesë në diskutimin me temë “Ballkani Perëndimor: Pjesë qendrore e paqes së qëndrueshme në Evropë”, të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri.

Në këtë vizitë zyrtare, bashkë me kryeministrin Kurti po merr pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Harjulla Çeku.