Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev vizitë zyrtare në Shqipëri

Delegacioni i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është pritur me një ceremoni zyrtare nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Pallatin e Brigadave në Tiranë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, me një delegacion qeveritar po realizon një vizitë zyrtare në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është pritur me një ceremoni zyrtare nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, ku të pranishëm ishin edhe ministra të kabinetit qeveritar të Shqipërisë dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Zaev dhe Rama pas takimit mes delegacioneve do të mbajnë një konferencë të përbashkët për mediat, ndërsa në fokus të diskutimeve janë marrëdhëniet mes dy vendeve, bashkëpunimi rajonal, si dhe mbështetja e Shqipërisë për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Pjesë e delegacionit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut janë edhe ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov, zv/kryeministri i Maqedonisë së Veriut për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe zyrtarë të tjerë.

Kryeministri Zaev është parashikuar të takohet sot edhe me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Kujtojmë se Shqipëria është në mesin e vendeve që kanë ratifikuar protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Institucionet e Shqipërisë kanë mbështetur në vazhdimësi proceset në kuadër të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës e deri tek nënshkrimi i protokollit.