Kryediplomati palestinez: Qeveria amerikane ka hapur luftë për popullin palestinez

Duke kritikuar politikat e qeverisë së presidentit Trump kundrejt Palestinës, al-Maliki tha se, "Në mënyrë të hapur qeveria aktuale e SHBA-ve ka hapur luftë kundër popullit palestinez"

Ministri palestinez i Punëve të Jashtme, Riyad al-Maliki, ka deklaruar se në mënyrë të hapur qeveria aktuale e SHBA-ve ka hapur luftë kundër popullit palestinez, transmeton Anadolu Agency (AA).

Al-Maliki bashkë me presidentin palestinez, Mahmud Abbas, ndodhen në New York për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), ku dhe ai ka bërë disa vlerësime për mediat në lidhje me deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump, për çështjen Palestinë-Izrael.

“Është nën nivelin e pritshmërive deklarata e presidentit Trump se ai është në favor të një zgjidhjeje me dy shtete ndaj çështjes palestino-izraelite”, është shprehur Maliki, duke shtuar se, “Nëse presidenti Trump dëshiron të bind dikë se ai dëshiron paqe të vërtetë për rajonin tonë, ai duhet të shpreh mbështetje për zgjidhjen me dy shtete në kufijtë e vitit 1967, që Kudsi Lindor dhe Bregu Perëndimor janë territore të pushtuara”.

Duke kritikuar politikat e qeverisë së presidentit Trump kundrejt Palestinës, al-Maliki tha se, “Në mënyrë të hapur qeveria aktuale e SHBA-ve ka hapur luftë kundër popullit palestinez”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dje pas takimit me kryeministrin izraelit, Benjamin Natanyahu, në lidhje me çështjen palestino-izraelite është shprehur se, “Mendoj se zgjidhja me dy shtete do të jetë më e mira”.

Ndërsa në një konferencë për media mbrëmë, duke bërë të ditur se beson që populli izraelit dhe ai palestinez do të pranojnë zgjidhjen me dy shtete, Trump deklaroi se, “Nëse izraelitët dhe palestinezët dëshirojnë një shtet për mua është e përshtatshme, po ashtu e përshtatshme për mua është nëse ata dëshirojnë dy shtete. Nëse ata janë të lumtur edhe unë jam i lumtur”.