Kryediplomati iranian kritikon sanksionet: Nuk ndryshojmë politikat tona

"Është e vërtetë se kemi kaluar nëpër një periudhë shumë kritike, dhe se sanksionet e SHBA-ve mund të shkaktojnë probleme. Megjithatë, bota po flet për një SHBA të izoluar, jo një Iran të vetmuar", tha ministri i Jashtëm i Iranit

 Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, kritikoi sanksionet e rivendosura amerikane mbi shtetin e tij, duke thënë se kjo nuk do të bëjë që të ndryshojnë qasjen dhe politikat e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Jashtëm Zarif, i cituar nga agjencia iraniane e lajmeve ISNA, ka kritikuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Izraelin, duke thënë se SHBA-të po bëjnë një propagandë duke pretenduar është në vijë të njëjtë me popullin e Iranit, ndërkohë që Netanyahu (kryeministri izraelit) shkruan çdo ditë në Twitter, duke derdhur lot.

“Ju shkruani se bashkëndjeni me popullin e Iranit, megjithatë sanksioni i parë i rivendosur kundër Iranit ka të bëjë me shitjen e avionëve, avionë të cilët do të duhej të përdoren për të mirën e popullit iranian”, tha ai.

Kryediplomati iranian tha se kërcënimet amerikane nuk do të detyrojnë Teheranin të ndryshojë politikat e veta.

“Është e vërtetë se kemi kaluar nëpër një periudhë shumë kritike, dhe se sanksionet e SHBA-ve mund të shkaktojnë probleme. Megjithatë, bota po flet për një SHBA të izoluar, jo një Iran të vetmuar”, tha ai.

Më herët gjatë ditës, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) sot do të fillojnë me implementimin e pakos së parë të sanksioneve ndaj Iranit.

Ai shtoi se administrata amerikane është e gatshme të ulet me Teheranin, porse Irani para kësaj duhet të vendos ndryshime të rëndësishme në politikën e tij. Sekretari amerikan tha se “Irani doemos duhet të sillet si vend normal”.

Paraprakisht, Departamenti i Thesarit i SHBA-ve njoftoi se do të implementojë pjesën e parë të sanksioneve ndaj Iranit duke filluar nga 6 gushti, ndërsa pjesën tjetër nga 4 nëntori.

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, më 8 maj tha se vendi i tij tërhiqet nga marrëveshja e arritur me Iranin.

Pas njoftimit që bëri se SHBA-të do të rivendosin sanksionet ndaj Iranit, në 90 ditët e ardhshme, sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, tha se kompanive Boeing dhe Airbus do t’u merren licencat për t’i shitur avionë Iranit.