Kryediplomati austriak: “Është radha që Brukseli të përmbushë detyrimet”

Ministri Federal për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Republikës së Austrisë, ka mbajtur një konferencë të përbashkët me ministrin Nikolla Dimitrov

Ministri Federal për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg, po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku është pritur nga ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit të delegacioneve, dy ministrat mbajtën një konferencë të përbashkët për media, ku thanë se në fokus të bisedimeve gjatë takimit ka qenë tema e eurointegrimeve.

Ministri Dimitrov tha se kjo vizitë e homologut të tij Schallenberg ndodh në një moment shumë të rëndësishëm, kur siç theksoi ai, na ndajnë disa ditë nga vendimi historik i Bashkimit Evropian (BE) që Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet për anëtarësim në BE.

“Shoqëria maqedonase është më e pjekur dhe më demokratike në krahasim me tre vite më parë, kjo është një fakt. Bëjmë avancime edhe në lirinë e mediave, edhe në pavarësinë e gjyqësorit, ka më shumë llogaridhënie, është e qartë se kemi komision të pavarur të antikorrupsionit, ka reforma të mira dhe të dukshme në sektorin e inteligjencës. E gjitha bashkë, merituam ta bëjmë hapin e radhës, i cili është fillimi i rrugës evropiane, nuk është fundi”, tha Dimitrov.

Ministri austriak Schallenberg tha se vizita e tij është një sinjal i fuqishëm i mbështetjes dhe solidaritetit me Maqedoninë e Veriut.

“Javën e ardhshme ne i afrohemi momentit kyç në Bashkimin Evropian. Ne duhet të sjellim vendime për bisedimet e ardhshme për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Mund t’ju siguroj se Austria ka një pozicion shumë të qartë në lidhje me këtë. Ne besojmë, siç e tha edhe vet (ministri Dimitrov) ju e merituat të bëni hapin e radhës. Shkupi ka përmbushur detyrimet, tani është radha e Brukselit. Është aq e thjeshtë”, tha Schallenberg.

Ministri austriak gjatë qëndrimit në Shkup ka takuar edhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ndërsa do ta takojë edhe presidentin Stevo Pendarovski dhe zv/kryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk duhet të jenë viktimë e njëra-tjetrës

Ministrat Dimitrov dhe Schallenberg u pyetën edhe për mundësinë e vendosjes ndaras në Këshillin e BE-së për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë, duke pasur parasysh mendimet e ndryshme nga vende të caktuara të BE-së për dy shtetet.

Ministri Schallenberg ritheksoi se qëndrimi i Austrisë është që të dy shtetet duhet të marrin “dritë të gjelbër” për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE.

Ministri Dimitrov, nga ana e tij, tha se është në interes shtetëror të Maqedonisë së Veriut që edhe Shqipëria “të hapërojë para”, por theksoi se procesi i anëtarësimit bazohet në arritjet individuale të shteteve.

“Opcioni më i mirë për ne është që dy shtetet të ecim para, por nuk duhet të lejojmë që njëra të jetë viktimë e tjetrës. Pra dy është më mirë se një, por një është më mirë se zero që nënkuptohet është dështim dhe mund ta rrënojë edhe vetë politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian”, tha Dimitrov.

Ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut gjithashtu tha se hapja e bisedimeve për dy shtetet do të ishte në dobi të atmosferës së përgjithshme dhe situatës gjeopolitike në Ballkan.