Kryebashkiaku që merr drogë/ PD zbulon emrin, Salianji: Lefter Alla konsumon kokainë

Ervin Salianji ka kërkuar largimin e kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla, pasi sipas PD është Alla, kryebashkiaku që u publikua në foto nga gazetari Artan Hoxha,  duke marrë drogë. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, thotë se në pamje është Alla, dhe më tej akuzon qeverinë dhe kryeministrinë se janë këto cilësitë që i ka veshur platformës qeverisëse.

 

“Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet sesi kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, është duke konsumuar kokainë.  Kokaina, heroina, kanabisi vjedhja, zhvatja janë cilësitë kryesore të kësaj bande që vjedh vendin. Janë cilësitë e kryeministrit.”-tha Salianji. 

Më tej, në një deklaratë nga selia blu, Salianji foli sërish për emërimin e Artur Metani, në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë dhe tha se ky emërim është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe Kushtetutën, pasi sipas tij, Metani ka mbajtur një post politik, si këshilltar i Presidentit, që sipas PD e pengon të jetë Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

“Janë lidhjet me krimin, babëzia dhe hajdutëria, motivi që e shtyn Edi Ramën të kapë sistemin e drejtësisë. Siç vulosi emërimin anti-kushtetues të Artur Metanit, në krye të ILD. Emërimi, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Një jurist s’mund të jetë inspektor i lartë, nëse ka mbajtur post politik. Metani, në shkelje të ligjit, pasi ishte këshilltar i presidentit dhe ligji e sqaron qartë që ky është post politik. Dihej që Artur Metani ishte funksionar politik.”-tha Salianji.

Ditën e sotme, ashtu siç e paralajmëroi në “Opinion”, gazetari Artan Hoxha ka publikuar disa foto që sipas tij, tregojnë një kryetar bashkie të Partisë Socialiste që konsumon lëndë narkotike të llojit ‘kokainë’. Ndërkohë që Artan Hoxha nuk e ka dhënë emrin e kryebashkiakut, në media dhe rrjetet sociale, akuzohet Lefter Alla. Në një komunikim për Dosja.al, Lefter Alla, mohoi në mënyrë kategorike që të ishte ai, kryebashkiaku në fjalë ditën e djeshme, madje shtoi se as nuk ka parë ndonjëherë drogë me sy.

Në fakt, konsumimi i lëndëve narkotike nuk e pengon Allën të ushtrojë detyrën e kryebashkiakut, por vlen të theksojmë një nga kërkesat e hershme të opozitës për të përfshirë testin e drogës, bashkëngjitur formularit të dekriminalizimit. Lëndët narkotike, të cilit do lloj qofshin ato, janë substanca psikotrope, e si të tilla, ato kanë ndikim mbi Sistemin Nervor Qendror.