Kreu shtetëror i Kosovës koordinon pozicionin në dialogun me Serbinë

Një nga kryesuesit e ekipit negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti tha të ketë kërkuar që nga sot të gjithë të flasin me një zë dhe më të mos ketë takime të ndara dhe procesi të jetë transparent

Kreu më i lartë shtetëror i Kosovës dhe anëtarët e Ekipit Negociator të Kosovës u pajtuan sot se Kosova duhet të flasë me një zë në dialogun me Serbinë. Pas takimit të mbajtur me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u tha se delegacioni shtetëror i Kosovës është ftuar në një takim më 8 janar në Bruksel për të diskutuar rrjedhën ardhshme të dialogut, raporton Anadolu Agency (AA).

Në në takim te kreyparlamentari Veseli të pranishëm ishin Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, një nga kryesuesit e ekipit negociator dhe udhëheqësi i Partisë opozitare Social Demokrate Shpend Ahmeti, si dhe anëtarë të tjerë të ekipit negociator. Kryesuesi i dytë i ekipit negociues dhe kreu i iniciativës Socialdemokrate Fatmir Limaj nuk ishte i pranishëm me arsye. Edhe pse ishin ftuar përfaqësuesit e grupeve parlamentare të partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetvendosje, ata nuk erdhën në takim.

Në konferencën për media pas takimit, Veseli tha se takimi ishte shumë i mirë dhe theksoi se Kosova është e përkushtuar për dialogun me Serbinë. Ai tha se qëllimi i koordinimit dhe uniteti i palës kosovare është njohja e pavarësisë nga Serbia, që Kosova të marrë ulëse në Kombet e Bashkuara dhe se Kosova ka perspektivë të qartë euroatlantike.

“Jemi dakorduar që të kemi takime të përbashkëta, ndërsa që nesër kemi ftuar ambasadorët e Kuintit dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian për t’i informuar në lidhje me premtimet tona si delegacion shtetëror, si institucione të Republikës së Kosovës. Jemi në rrugën e duhur dhe jam i sigurt se të gjithë ne duhet të jemi së bashku dhe do të jemi së bashku si Kosovë në këtë proces”, tha Veseli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vlerësoi pozitivisht iniciativën e Veselit për mbajtjen e këtij takimi me qëllim të koordinimit sa më të mirë dhe për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi. Thaçi tha se kjo ftesë është edhe për ata që nuk i janë përgjigjur këtij procesi për t’u bashkuar.

“Procesi çon në BE, por Kosova dhe rajoni është më ndryshe pas letrës së Presidentit të SHBA-së Donald Trump i cili kërkoi që të marrim përgjegjësi dhe ne si Kosovë jemi të sigurt se aty ku do të jetë këshilla e SHBA-së do të jetë edhe vendimi i institucioneve të shtetit të Kosovës”, tha Thaçi.

Ai theksoi se ka besim se ekipi negociator i Kosovës do të bëjë maksimumin. Thaçi tha se edhe ai do të jap kontributin e tij dhe se do të mbështesë fuqishëm këtë qëllim. Presidenti i Kosovës tha se Kosova nuk mund të zhgënjejë miqtë dhe partnerët e tyre në këtë proces historik për vendin.

Një nga kryesuesit e ekipit negociator të Kosovës, Shpend Ahmeti tha të ketë kërkuar që nga sot të gjithë të flasin me një zë, dhe më të mos ketë takime të ndara dhe procesi të jetë transparent.

“Sot nuk kemi arritur një konsensus të plotë dhe nuk pres të kemi pëlqimin e plotë menjëherë, por takimet koordinuese të këtij niveli synojnë të paktën ne si Kosovë të arrijmë marrëveshje dhe kur të ulemi përballë Serbisë, kemi mandatet dhe përgjegjësitë tona që na i ka dhënë Kuvendi i Kosovës” ka thënë Ahmeti.

Ai tha se delegacioni shtetëror i Kosovës u ftua në Bruksel më 8 janar për të informuar përfaqësuesit e BE-së që lehtësojnë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, në lidhje me përgatitjen e platformës së Kosovës, që janë tema për të cilat do të diskutohet rreth procesit në 3-4 muajt e ardhshëm kur priten bisedime intensive me Serbinë.

Ahmeti tha se në delegacionin shtetëror janë ftuar edhe dy partitë e tjera të opozitës Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja dhe se pavarësisht refuzimit të tyre për të qenë pjesë e delegacionit, ata me siguri do të informohen për këtë takim.