“Kosova është shumë e përkushtuar sa i takon afrimit me Bashkimin Europian”, deklaroi komisioneri europian i zgjerimit në Prishtinë pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.
“Ju e keni treguar zotimin tuaj jo vetëm me fjalë por edhe shfaqur me qasje të qartë lidhur me qëndrimin tonë rreth agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”, shtoi ai ndërsa përsëriti sërish më tej porosinë më të ngutshme të Brukselit: Marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohet.
“Mendojmë së është arritur progres. Është thelbësore që të dyja palët t’i zbatojnë detyrimet e tyre pa vonesë sepse duhet të shfrytëzohet momenti dhe të ecim përpara me zbatimin e marrëveshjes, përfshirë edhe atë të vitit 2015”, u shpreh Varhelyi.
Me pohimin e fundit, zyrtari i lartë europian nënkuptoi marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pjesa më e rëndësishme e kësaj vizite megjithatë konsiderohet nisja e një programi të përbashkët mes BE-së dhe Kosovë për forcimin e ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Është thënë se pas takimeve me krerët shtetërorë, zyrtari i lartë europian, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, do të inaugurojnë “Programin BE-Kosovë për punë të brendshme”.
Qëllimi i këtij programi është përshtatja e mëtejme e veprimeve të Kosovës në forcimin e ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar me standardet e BE-së”, nënvizohet në njoftimin e KE-së. Aty shpjegohet se ky program i bllokut europian, financuar me 6.5 milionë euro, do të zbatohet në një periudhë kohore prej tre vjetësh, me mbështetjen e Francës, Italisë dhe Belgjikës.