Kosovë, takim për programin IPA me vlerë rreth 200 milionë euro

Ministrja Hoxha tha se programi IPA 2 mbulon periudhën financiare shtatë vjeçare 2014- 2020

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministria e Integrimit Evropian organizuan takimin iniciues për afatet kohore dhe sektorët që do të përkrahen nga programet kombëtare për Kosovën, IPA 2019 dhe IPA 2020, të financuara nga Bashkimi Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Integrimit Evropian e Republikës së Kosovës, Dhurata Hoxha, e cila në cilësinë e koordinatores kombëtare për IPA hapi takimin e parë zyrtar për të iniciuar programet vjetore të fundit para anëtarësimit në BE tha se programi IPA 2 mbulon periudhën financiare shtatë vjeçare 2014-2020.

“Qëllimi ynë është që duke filluar prej tani deri në mesin e vitit të ardhshëm të kryejmë gjithë procesin e programimit të IPA-s për periudhën 2019-2020 që përafërsisht kap shumën rreth 200 milionë euro për këto dy vite”, tha Hoxha, duke theksuar se ky program vjetor 2019-2020 do të jetë përgatitje për fazën e planifikimit për instrumentin e ri të BE-së për periudhën 2021-2027.

Duke theksuar se përfaqësuesit e zyrës së BE-së në Kosovë do të njoftojnë për sektorët që do të financohen dhe kufizimet sa i përket financimit, ministrja Hoxha tha se MIE ka pranuar një numër të propozimeve nga ana e institucioneve të Kosovës.

Hoxha theksoi se nga sot fillon procesi i dialogut në mes BE-së dhe ministrive të Kosovës rreth ideve të mira për mbështetje.

Ndërsa, udhëheqësi I sektorit të bashkëpunimit pranë zyrës së BE-së në Kosovë, Luigi Brusa, tha se në muajin korrik do të aprovohet dokumenti strategjik i Kosovës nga komiteti i IPA-s që nga periudha 2014. Ai tha se që nga kjo periudhë për Kosovën kanë ndarë 600 milionë euro, ku 200 milionë prej këtyre janë të ndara vetëm për periudhën 2019-2020.

Ai ftoi të gjitha ministritë që dëshirojnë të kenë mbështetje nga programi IPA që t’i dërgojnë propozimet e tyre brenda 30 ditëve për sektorët që do të ndihmohen. Duke theksuar se sektorëve që do të përkrahen i është shtuar sektori i mjedisit, Brusa tha se: “Janë dy kapituj për përkrahje që është demokracia dhe sundimi i ligjit ku përkrahim qeverisjen e mirë, të drejtat themelore. Një tjetër përkrahje ka të bëjë me rritjen dhe kompeticionin, mjedisin, ndryshimin klimatik, bujqësinë, energjinë, arsimimin, punësimin dhe politikat sociale”, tha Brusa.