Para Komunës së Zveçanit është vendosur kordoni i KFOR-it, ndërsa para tyre janë mbledhur qytetarë serbë, raporton Anadolu.
Krerët e Listës Serbe janë duke negociuar me përfaqësuesin e KFOR-it, nga të cilët kërkojnë tërheqjen e plotë të njësive speciale të Policisë së Kosovës që ndodhen në objekt si dhe largimin e automjeteve policore.
Përfaqësuesi i KFOR-it kërkon që protestuesit të kalojnë përtej rrugës sepse dëshiron që ushtarët e tij të jenë të sigurt.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu që të hiqet flamuri i Kosovës nga ndërtesa e komunës, e cila u vendos të shtunën. Mes tyre ka shumë tensione dhe situata mund të përshkallëzohet.
Herët në mëngjes ka patur përleshje të shkurtër kur protestuesit hodhën gaz lotsjellës dhe tentuan të hyjnë në ndërtesën e komunës, por policia përdori sprej për t’i larguar.
Protesta në të njëjtën kohë po mbahen edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok, ku edhe ushtarët e KFOR-it po ruajnë objektet komunale, por në këto zona është mjaft e qetë.
Të premten kryetarët e rinj kanë hyrë në objektet komunale me ndihmën e forcave speciale të Policisë së Kosovës.
Që atëherë, forcat speciale janë në ndërtesa ndërsa serbët po protestojnë.